Flet gruaja e të arrestuarit nga Specialja, tregon momentin kur zyrtarët e EULEX-it i shkuan në shtëpi

  • E.K /
  • 24 September 2020 - 15:45
Flet gruaja e të arrestuarit nga Specialja, tregon momentin kur zyrtarët e EULEX-it i shkuan në shtëpi

Në orët e para të mëngjesit të së martës, zyrtarë të EULEX-it i shkuan në shtëpi Sali Mustafës, ish-shef i inteligjencës së FSK-së e ish-epror i UÇK-së, në Zonën e Llapit. Për arrestimin e tij kanë folur edhe zyrtarë nga Gjykata Speciale. Ndërkaq, familja e Mustafës ka deklaruar se nuk i ka parë zyrtarët kur ia kanë arrestuar familjarin. Ajo thotë se për këtë punë ka vendosur të mos deklarohet për media.

Ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Sali Mustafa, u bë personi i parë në Kosovë i cili u arrestua nga ana e Gjykatës Speciale.

Mustafa, i cili ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së, u mor në mëngjesin e sotëm nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi, një urdhri për transferim dhe të aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

E sipas njoftimit të Gjykatës Speciale Mustafa pas arrestimit është dërguar në objektin e paraburgimit në Hagë të Holandës.

“Z. MUSTAFA po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa familja e Mustafës ka folur për Express. Gruaja e tij ka deklaruar se nuk e kanë parë se kur është arrestuar familjari i tyre. Ajo thotë se për detajet tjera kanë vendosur të mos flasin për momentin.

“Nuk e kemi pa kur e kanë marrë. Kemi vendosë mos me folë për këtë çështje. Flasin organet kompetente. Ata që e kanë marrë nuk kanë qenë të dhunshëm”, thuhet në përgjigjen që gruaja e Mustafës e ka dhënë.

Ndërkaq, edhe Gjykata ka dhënë edhe shpjegimet për arrestimin, ndërsa tha se informatat e tjera do t’i japin me kohë.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në fund të njoftimit.

(Kosova Sot Online)