Minibusi rrokulliset dhe digjet plotësisht, 15 të vdekur përfshirë 3 fëmijë

  • A.P /
  • 27 September 2020 - 17:02
Minibusi rrokulliset dhe digjet plotësisht, 15 të vdekur përfshirë 3 fëmijë

Policia e Pakistanit ka njoftuar se 15 persona, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, kanë vdekur pasi një minibus me të cilin ata po udhëtonin u rrokullis dhe u përfshi nga zjarri në një autostradë.

Aksidenti ndodhi të shtunën afër qytetit bregdetar, Karaçi, shkruan Free Europe.

Policia tha se minibusi në të cilin ndodheshin 25 persona ra në një kanal pasi u godit nga një objekt prej një automjeti tjetër dhe u përfshi nga zjarri pas rrjedhjes së karburantit nga rezervuari.

Ekipet e kërkim-shpëtimit i nxorën 15 trupa të shkrumbuar, përfshirë të paktën tre trupa fëmijësh, ndërsa 10 persona, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, i mbijetuan aksidentit të rëndë.

Aksidente të tilla janë mjaft të shpeshta në Pakistan, sidomos në pjesën veriore malore ët vendit, dhe ndodhin kryesisht për shkak të vozitjes së pakujdesshme, mirëmbajtjes së dobët të rrugëve dhe mungesës së infrastrukturës.

Sipas statistikave zyrtare, në Pakistan çdo vit ndodhin rreth 9,000 aksidente rrugore dhe në to vdesin përafërsisht 4,000 persona.