Shkelja e marrëveshjes së Brexit’it, BE’ja nis procedurat ligjore, ultimatum Britanisë

  • E.K /
  • 01 October 2020 - 14:34
Shkelja e marrëveshjes së Brexit’it, BE’ja nis procedurat ligjore, ultimatum Britanisë

Bashkimi Evropian ka nisur procedurat ligjore kundër Britanisë së Madhe, pasi ajo ka refuzuar të heqë dorë nga planet për t’i anashkaluar pjesët e marrëveshjes së saj pas Brexit’it.

Komisioni Evropian i kishte dhënë kohë qeverisë britanike deri në fund të shtatorit që t’i tërhiqte dispozitat e diskutueshme nga projektligji i tregut të brendshëm.

“Afati mbaroi dje. Dispozitat problematike nuk janë hequr”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një fjalim të shkurtër.

Por Bashkimi Evropian nuk është larguar nga bisedimet mbi një marrëveshje tregtare pas Brexit’it. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Britania e Madhe ka kohë deri në fund të nëntorit për t’iu përgjigjur shqetësimeve të BE’së mbi projektligjin.

Bisedimet tregtare ndërmjet Britanisë dhe BE’së do të vazhdojnë këtë javë në Bruksel. Kryeministri Boris Johnson ka thënë që të dyja palët duhet të “lëvizin përpara” nëse një marrëveshje nuk arrihet deri në mes të tetorit.

Në një deklaratë të shkurtër, von der Leyen tha se projektligji ishte një “kontradiktë e plotë” e angazhimeve të mëparshme të Britanisë së Madhe në lidhje me mënyrën se si duhet të shmanget një kufi i fortë në ishullin e Irlandës.

Ajo shtoi se projektligji ishte një shkelje e detyrimit të mirëbesimit të përfshirë në marrëveshjen e tërheqjes që nxorri Britaninë e Madhe nga BE’ja në janar.

Një zëdhënës i qeverisë së Britanisë së Madhe tha se projektligji ishte një “rrjet sigurie” i domosdoshëm për të mbrojtur tregtinë midis pjesëve të ndryshme të Britanisë së Madhe.

Letra dërguar Britanisë së Madhe është faza e parë në procesin që Komisioni përdor kundër vendeve që beson se kanë thyer ligjin e BE-së dhe që mund të përfundojë me Komisionin që i çon qeveritë në gjykatë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Kjo e fundit ka kompetenca për të detyruar vendet të zbatojnë vendimet e saj, duke përfshirë dhe vendosjen e gjobave financiare.

(Kosova Sot Online)