Vjosa Osmani në përvjetorin e zgjedhjeve e zhgënjyer me sjelljen e kastës politike, e lumtur për mbështetjen e krahut të qytetarëve

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 14:14
Vjosa Osmani në përvjetorin e zgjedhjeve e zhgënjyer me sjelljen e kastës politike, e lumtur për mbështetjen e krahut të qytetarëve

Pse Vjosa Osmani po i glorifikon zgjedhjet që i humbi vetë?

Zgjedhjet e gjashtë tetorit nuk e kishin gëzuar LDK-në, e cila, e bindur në fitore me moton “Beso”, postin e kandidates për kryeministër ia kishte besuar Vjosa Osmanit. Një vit më vonë, hesapet kanë ndryshuar dhe tash kryeparlamentarja publikisht po i duartroket rezultatit që e kishte radhitur të dytën.

Atmosfera brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ndryshuar thelbësisht. Skenat ku shiheshin përaqfimet e anëtarëve të partisë dhe kandidates për kryeministre, Vjosa Osmanit, me entuzizmin për fitimin e zgjedhjeve e 6 tetorit, tashmë janë zëvëndësuar me kritika e përplasje brenda partisë. Madje ka paralajmërime se vetë Osmani do ta lëshojë partinë bashkë me Haxhi Avdylin disa emra të tjerë.

Nënkryetarja e partisë, e cila me moton “Beso”, kishte dalë në zgjedhje për të kthyer elektoratin e vjetër të Lidhjes Demokratike, tash është rrugës për të dalë në subjekt në vete, pas përjashtimit që ia kanë bërë në partinë e Mustafës.

Derisa me LDK-në i ka prishur punët, rrugëtimi i Osmanit do të vazhdojë paralel me atë të Vetëvendosjes. Sot në njëvjetorin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, kryeparlamentarja madje po e glorifikon rezultatin ku ajo kishte dalë e dyta e nuk kishte arritur të bëhej kryeministre e shtetit.

Në një shkrim në Facebook, Osmani sot ka thënë se më gjashtë tetor është bërë kthesa më e madhe politike e viteve të fundit.

Emërimin e ish-partiakëve të saj në krye të institucioneve, Osmani e ka krahasuar me përdhosje të vullnetit të popullit.

“Kosova frymon me pamjen e zymtë, si ajo para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar”, ka thënë kryeparlamentarja.

Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike thotë se është e zhgënjyer me sjelljen e kastës politike, e se për këtë arsye është duke vazhduar të qëndrojë në krahun e qytetarëve.

“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja ka paralajmëruar një iniciativë qytetare që do ta themelojë pas përjashtimit nga LDK-ja. Ajo ka thënë se do të vazhdojë edhe më tutje bashkëpunimin e nisur me Albin Kurtin, liderin e LVV-së.

(Kosova Sot Online)