“Kuletat e partive politike të bëhen publike”

  • E.K /
  • 07 October 2020 - 11:08
“Kuletat e partive politike të bëhen publike”

Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI), po kërkon që partitë politike t’i bëjnë publike raportet vjetore financiare për vitin 2019.

KDI vlerëson se bërja publike e këtyre raporteve, ndonëse të paaudituara, është esenciale dhe në përputhje me frymën ligjore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që në mbledhjen e sotme të trajtojë rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, për publikimin e raporteve vjetore financiare të subjekteve politike për vitin 2019. Meqenëse subjektet politike shpenzojnë mbi 4.2 milionë euro të taksapaguesve, KDI vlerëson që bërja publike e këtyre raporteve, ndonëse të paaudituara, është esenciale dhe në përputhje me frymën e ligjeve zgjedhore, që kërkojnë transparencë të vazhdueshme në financimin e subjekteve politike”, thuhet në njoftimin e KDI’së.

KDI thotë se çfarëdo veprimi në kundërshtim me praktikën e publikimit të raporteve, përbën regres të dëmshëm për transparencën e llogaridhënien.

“KQZ në dhjetor të vitit të kaluar, ka publikuar raportet e paaudituara të shpenzimeve të subjekteve politike për fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit, duke krijuar një standard të ri në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së subjekteve politike. Çfarëdo veprimi në kundërshtim me këtë praktikë, përbën regres të dëmshëm për transparencën dhe llogaridhënien”, thuhet tutje në reagimin e KDI’së.

“Gjithashtu, edhe Raporti i KE-së për Kosovën, i publikuar dje, ka ritheksuar se financimi i subjekteve politike dhe i fushatës nuk është transparent, përderisa rregullativa ligjore nuk është adekuate, sepse nuk garanton raportim të plotë dhe në kohë, mbikëqyrje efektive dhe as llogaridhënie lidhur me parregullsitë eventuale që mund t’i kenë këto raporte”

KDI i ka kërkuar KQZ’së që të miratojë rekomandimin e ZRPPC’së [ër [ublikimin e raporteve financiare të paaudituara.

“Duke u bazuar në praktikat e mëhershme, ku auditimi i raporteve financiare nuk është bërë me vite të tëra, KDI kërkon nga anëtarët e KQZ-së që të miratojnë rekomandimin e ZRPPC-së për publikimin e raporteve financiare të paaudituara, për të garantuar transparencë bazike lidhur me financimin e subjekteve politike”, thekson KDI.

(Kosova Sot Online)