Dënohet me varje, mbyti 9 gra në dhoma hotelesh

  • E.K /
  • 09 October 2020 - 15:45
Dënohet me varje, mbyti 9 gra në dhoma hotelesh

Një burrë që mbyti nëntë gra në Nigeri është dënuar me vdekje. Rasti kishte shkaktuar reagime të shumta.

Prokurorët thanë se burri 40 vjeç, i quajtur Gracious David-West, i ka mbytur gratë duke i shtrënguar në fyt me mbulesa të shtretërve dhe duke ua zënë frymën në dhoma të hoteleve në pjesë të ndryshme të shtetit afrikan mes korrikut dhe shtatorit të vitit të kaluar.

Gjykatësi Adolphus Enebeli njoftoi se personi që u shpall fajtor për krimet e tmerrshme do të ekzekutohet përmes varjes në litar, shkruan BBC.

Nigeria e ka në fuqi dënimin me vdekje, por nuk e zbaton shpesh atë. Rasti i fundit ishte në vitin 2016, kur dënimin më të rëndë e kishin marrë tre persona.

Një nga viktimat i kishte mbijetuar sulmit të këtij burri, por ajo nuk ishte dëshmitare në procesin gjyqësor. Autoritetet thonë se vendndodhja e viktimës nuk dihet, pavarësisht se i është bërë thirrje që të mos largohet nga vendi.

Policia tha se personi i shpallur fajtor ka rrëfyer edhe për gjashtë raste të vrasjes së grave në vende tjera, por ndaj tij nuk u ngritën aktakuza shtesë për shkak të mungesës së provave.

Autoritetet thanë se vepra e këtij personi mund të cilësohet si vepër e një vrasësi masiv. Ai kryente marrëdhënie intime me viktimat, ndërsa më pas ua lidhte duart dhe këmbët. Më pas, krimineli ua zinte frymën duke ua shtrënguar fytin me mbulesa të shtretërve.

(Kosova Sot Online)