Rritet numri i viktimave në Karabak, palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 13:08
Rritet numri i viktimave në Karabak, palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit

Armenia dhe Azerbajxhani e akuzuan të martën njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të nënshkruar tri ditë më parë, përderisa u raportua edhe për viktima të reja gjatë 24 orëve të fundit.

Zyrtarët armenë në rajonin Nagorno-Karabak thanë se numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 542, 17 më shumë se një ditë më parë. Raportimet për përleshje të reja bënë që Bashkimi Evropian dhe Rusia të kërkojnë respektim të armëpushimit.

Në anën tjetër, Azerbajxhani ka thënë se nga 27 shtatori, kur filluan luftimet, janë vrarë 42 civilë azerë dhe 206 të tjerë janë plagosur.

Nagorno-Karabaku njihet nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohet dhe banohet nga armenët etnikë, shkruan Reuters.

Konflikti mes dy ish-republikave sovjetike ma marrë vëmendje të madhe në skenën botërore për shkak se afër zonës së konfliktit ndodhen gazsjellësit dhe naftësjellësit nga të cilët furnizohet Evropa.

Ky konflikt mund ta nxisë edhe ndërhyrjen e fuqive rajonale, të cilat përkrahin palë kundërshtare në konflikt. Rusia ka pakt të mbrojtjes me Armeninë, ndërsa Azerbajxhani e ka përkrahjen e Turqisë.

(Kosova Sot Online)