Lajçak i prerë: Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacion

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 13:33
Lajçak i prerë: Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacion

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun e Kosovës me Serbinë, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk implementohet themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Ai tha se Kosova e ka marrë përsipër zotimin për themelimin e Asocacionit dhe ky zotim duhet të implementohet.

“Jam këtu vetëm të lehtësoj marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve. Dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar. Asociacioni është pjesë e procesit, është pjesë e dialogut. Ne nuk kërkojmë të rihapim tekstin, por duam vetëm të implemetojnë atë që e kanë nënshkruar. Nuk e kam takuar asnjë partner gjatë këtyre tri ditëve që ka ndonjë problem me këtë çështje”, tha Lajçak.

Lajçak është duke qëndruar që dy ditë në Kosovë, ku sot u prit në takim nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Lajçak po ashtu u takua edhe me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë.

(Kosova Sot Online)