Zafa në Konferencë Ndërkombëtare flet për Siguri Kibernetike

  • A.P /
  • 20 October 2020 - 16:53
Zafa në Konferencë Ndërkombëtare flet për Siguri Kibernetike

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, i cili është caktuar nga Agim Veliu edhe në cilësinë e koordinatorit  për siguri kibernetike, sot iu është drejtuar të pranishmëve në Konferencën Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike të organizuar nga ministria që drejton Agim Veliu dhe UNDP.

Aty Zafir Berisha ka mbajtur një fjalim për zhvillimet teknologjike dhe shfrytëzimin e internetit në Kosovë duke theksuar se teknologjitë e reja kompjuterike kanë sjellë ndryshime kolosale në ndërkomunikimin e një shoqërie globale.

“Transformimi i shkaktuar nga ky digjitalizim krijon varësi të reja. Interneti me hapësirën kibernetike është sistemi më i madh i krijuar ndonjëherë nga njerëzimi, me miliarda pajisje të lidhura, përmes lidhjeve të shumta komunikuese, e me miliarda përdorues që lidhen me laptopë, tabletë, telefona të mençur e pajisje të tjera digjitale. Krahasuar më vendet e rajonit, Republika e Kosovës e ka shpërndarjen më të madhe të internetit. Me këtë përdorim të madh të Internetit, si platformë kryesore e punës, shkencës dhe komunikimit social, siguria dhe privatësia kthehen në brengën kryesore. Për këtë qëllim Republika e Kosovës në vitin 2016 ka aprovuar strategjinë shtetërore për siguri kibernetike dhe planin e veprimit 2016 – 2019”, ka thënë Berisha.

Ai ka treguar se aktualisht është duke u punuar strategjia e re për siguri kibernetike dhe plani i veprimit për periudhën vijuese.

“Qëllimi i këtij ligji është për të ruajtur dhe mbrojtur infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës, parandaluar incidentet dhe minimizuar dëmin potencial për infrastrukturën kritike, pasurinë e përgjithshme, humbjet ekonomike dhe sociale. Ministria e Punëve të Brendshme është duke hartuar projektligjin për siguri kibernetike.

Qëllimi I këtij ligji do të jetë që të përcaktoj parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional, parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë në Republikën e Kosovës kundër çdo kërcënimi apo sulmi, si dhe themelon Autoritetin Shtetëror për Siguri Kibernetike. Republika e Kosovës është zotuar të promovojë stabilitetin dhe sigurinë, jo vetëm brenda vendit, por edhe të jetë kontribuuese e rëndësishme ndaj sigurisë së rajonit dhe më gjerë.

Kështu, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë kibernetike mbetet prioritet për Kosovën. Republika e Kosovës do të sigurojë një mjedis të sigurt të hapësirës kibernetike, duke minimizuar dhe parandaluar kërcënimet kibernetike në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”.

Në fund Berisha ka inkuruajuar që gjatë dy ditëve sa zgjatë konferenca, të ndahen praktikat dhe njohuritë më të mira në këtë fushë.

(Kosova Sot Online)