Hykmete Bajrami thotë se vjedhja ishte sulm kibernetik, Zafa thotë se raste të tilla ndodhin edhe në perëndim

  • E.K /
  • 22 October 2020 - 15:49
Hykmete Bajrami thotë se vjedhja ishte sulm kibernetik, Zafa thotë se raste të tilla ndodhin edhe në perëndim

Vetëm tetë minuta i janë dashur një zyrtari të Thesarit që t’i “avullojë” mbi dy milionë euro të shtetit. I njëjti është arrestuar, derisa dy pronarët e kompanisë ku janë transferuar paratë janë në arrati. Për mënyrën se si u zhdukën këto para, janë dhënë disa detaje. Por, a është ky sulm kibernetik siç deklaroi ministrja e Financave, ka dhënë versionin e tij Koordinatori Nacional për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha.

Në një prononcim  Berisha ka thënë se gjëra të tilla kanë ndodhur edhe në vendet më të fuqishme të botës, derisa shton se askush që bën një vjedhje të tillë nuk mund t’u ikë institucioneve të ndjekjes.

Sipas Berishës, kjo vjedhje është dëshmi se duhet të forcohet fusha e sigurisë kibernetike dhe se siguria kibernetike duhet të jetë prioritet i prioriteteve, derisa shpreson se ky rast do të zgjidhet shumë shpejt.

“Po, shiqo kjo është një dëshmi se duhet me u forcu fusha në drejtim të sigurisë kibernetike. Fatkeqësisht, nuk ka Ligj, për atë edhe unë si Koordinator jam shumë i interesuar që me procedura të përshpejtuara me dërgu në Qeveri dhe në parlament Ligjin për Siguri Kibernetike, sepse aktualisht nuk ka një autoritet qendror që bën sigurinë e të gjitha institucioneve të ndjeshme që mund të atakohen nga sulmi kibernetik.

Me këtë rast, Policia është duke u marrë dhe unë po shpresoj që këto gjëra kanë me u sqaru së shpejti. Por, nuk mundet me i ikë d.m.th. institucioneve të ndjekjes askush që ka bë ndërhyrje edhe që ka ba vjedhje të kësaj natyre”, ka thënë Berisha.

Koordinatori për Kibernetikë thotë se rreziku nga sulmet kibernetike është permanent dhe se ka pasur tendenca për raste të tilla edhe më herët.

“Rreziku nga sulmet kibernetike është permanent. Faktikisht, ka pasë tendenca sa unë jam në dijeni edhe më herët, jo vetëm me një ministri, por në të gjitha institucionet nga kriminelët që përdorin internetin. Për atë edhe unë kam thënë publikisht që ne kemi njerëz profesionistë që merren me siguri kibernetike për krejt dikasteret, por ja që ndodhin. Këto gjëra kanë ndodhur edhe në vendet më të fuqishme të botës dhe ndodhin edhe në Kosovë, por jam shumë i sigurt se organet e Policisë do ta ndjekin deri në fund këtë rast”.

Por, Berisha e ka një dilemë nëse ky mund të cilësohet si sulm kibernetik, meqenëse siç thotë kemi të bëjmë me ndryshim të fjalëkalimeve dhe se të gjitha transferet janë kryer brenda Ministrisë së Financave.

“Problem është që sipas kësaj që po thuhet, a cilësohet kibernetik, sepse kemi të bëjmë me ndërrim fjalëkalimesh. Kjo mendoj se është hajni e brendshme, sepse është kry brenda Ministrisë”, ka deklaruar Berisha për Express.

Ndryshe, ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë një raportimi të enjten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se transferi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasuordet”, tha Bajrami.

Sipas saj, transaksioni prej mbi 2 milionë eurove është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.

Për këtë transaksion ka shtuar Bajrami, nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës.

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

I arrestuari është L.G., punëtor i Thesarit të Kosovës, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës. 

(Kosova Sot Online)