Azerbajxhani akuzohet për përdorim të tmerrshëm të bombave kasetë, të ndaluara në 120 shtete

  • G.G /
  • 23 October 2020 - 13:21
Azerbajxhani akuzohet për përdorim të tmerrshëm të bombave kasetë, të ndaluara në 120 shtete

Grupi vëzhgues ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, e ka akuzuar Azerbajxhanin për përdorim të përsëritur të të ashtuquajturave bomba kasetë në zona banimi në Nagorno-Karabak.

Përdorimi i këtyre bombave është i ndaluar në së paku 120 shtete të botës, të cilat në vitin 2008 në Irlandë e nënshkruan Konventën për Municionin e Grumbulluar.

Këto bomba janë të ndaluara për përdorim për shkak të efekteve të gjera në zona të mëdha dhe rrezikut afatgjatë që paraqesin në rast të mosshpërthimit të menjëhershëm. Bombat kasetë mund të hudhen nga ajri ose nga toka.

Grupi i njohur ndërkombëtar i përmendi katër incidente që lidhen me përdorimin e municionit të ndaluar nga shumica e shteteve përmes kërkimeve në territorin që banohet kryesisht nga armenët, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Akuza më e re ndaj Azerbajxhanit erdhi disa orë para takimeve të ndara të kryediplomatit amerikan, Mike Pompeo, me minsitrat e Punëve të Jashtme të Armenisë dhe Azerbajxhanit. Takimet do të zhvillohen në Uashington.

Forcat armene dhe azere e kanë akuzuar njëra-tjetrën për përdorim të bombave kasetë, ndërsa kanë mohuar se i kanë përdorur vetë ato. Grupi “Human Rights Watch” ka thënë se nuk i ka vërtetuar pretendimet e Azerbajxhanit se Armenia e ka përdorur këtë lloj municioni.

Drejtori i Divizionit për Armët i këtij grupi, Stephen Goose, tha: “Përdorimi i vazhdueshëm i municionit të grumbulluar, sidomos në zonat me popullsi, paraqet zhvlerësim flagrant të sigurisë së civilëve. Bombat kasetë nuk duhet të përdoren kurrë nga askush në asnjë rrethanë, aq më pak në qytete, për shkak të dëmit të parashikueshëm dhe të papranueshëm ndaj civilëve”.

(Kosova Sot Online)