Shkon në 48 numri i të vdekurve pasi morën vaksinën e gripit, por ky shtet s’e ndal vaksinimin

  • S.A /
  • 24 tetor 2020 - 14:23
Shkon në 48 numri i të vdekurve pasi morën vaksinën e gripit, por ky shtet s’e ndal vaksinimin

Agjencia për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Koresë Jugore njoftoi se ka shkuar në 48 numri i personave që kanë vdekur pasi janë vaksinuar me vaksinën kundër gripit.

Megjithatë, autoritetet kanë thënë se nuk kanë gjetur lidhje të drejtpërdrejtë mes vdekjes së këtyre personave dhe vaksinës së gripit. Shteti i vogël aziatik po planifikon që ta vazhdojë programin e vaksinmit me qëllim të shmangies së shfaqjes së dy epidemive në të njëjtën kohë gjatë dimrit.

“Pas shqyrtimit të rasteve të vdekjeve deri më tani, nuk është koha që të pezullohet programi i vaksinimit, sepse vaksinimi është shumë jetik këtë vit, duke e marrë parasysh përhapjen e Covid-19”, tha drejtori i Agjencisë për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Jeong Eun-kyung.

Sipas tij, pas shqyrtimit të këtyre rasteve, nuk është gjetur ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë mes vaksinës kundër gripit dhe 26 rasteve fatale që janë hetuar, shkruan Reuters.

Në bazë të rezultateve të autopsisë së kryer nga policia dhe Shërbimi Kombëtar i Forenzikës, doli që 13 persona të vaksinuar kanë vdekur nga problemet kardiovaskulare, cerebrovaskulare dhe çrregullime tjera, të cilat nuk janë shkaktuar nga vaksinimi.

Të premten, shifra e personave që vdiqën pas vaksinimit ishte 36, ndërsa ky numër të shtunën u rrit për 12 dhe shkoi në 48.

(Kosova Sot Online )