Ministri Blerim Kuçi nuk shkon për të raportuar në komision, deputetët s’ia pranojnë zëvendësin

  • E.K /
  • 27 October 2020 - 12:10
Ministri Blerim Kuçi nuk shkon për të raportuar në komision, deputetët s’ia pranojnë zëvendësin

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, nuk është paraqitur në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ku ishte ftuar të raportonte.

Kuçi do të raportonte në lidhje me emërimet e fundit në bordet e përkohshme, gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në ndërmarrjen Trepça, si dhe për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Deputeti Endrit Shala ka thënë se raportimi për këto pika do të shtyhet për një ditë tjetër, pasiqë sipas tij, raportimi i ministrit lidhur me këto pika është i domosdoshëm. Ai ka thënë se prania e zv/ministrave të tjerë nuk është e pranueshme.

Ndërkaq deputetja Mimoza Kusari ka thënë se nëse ministri Kuçi vazhdon ta neglizhojë komisionin, ata nuk do ta votojnë asnjë projektligj.

“Është hera e dytë me radhë që Komisioni e ka ftuar ministrin dhe ai delegon zëvendësministra ta themi publikisht që asnjë tentim tjetër i ministrave të sjellin zv/ministra nuk e pranojmë. Ne i tregojmë ministrit që asnjë projektligj nuk ia votojmë nëse e vazhdon këtë sjellje. Ne i kërkojmë që ta caktojë një datë se kur mund të vije të raportojë”, ka thënë ajo.

Ndërkohë që mbledhja e komisionit ka vazhduar me raportimin e ZRRE-së.

Deputetja Kusari ka pyetur se sa leje të përkohshme janë aktive për sa hidrocentrale.

“Sa inspektime janë bërë nga ZRRE-ja në pjesët ku operojnë hidrocentrale. Kam një raport tuaj për kompaninë KELKOS dhe në këtë raport janë një mori shkeljesh dhe në mesin e tyre është operimi i dy hidrocentraleve pa licencë. Ne të njëjtin raport thuhet se nga këto hidrocentrale është furnizuar me rryme drejtpërdrejtë manastiri i Deçanit. Cilat kanë qenë masat që i ka marrë ZRRE-ja ndaj kompanisë në fjalë për këto shkelje”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)