Anëtari i PDK-së: Fjalimi i Shaip Kamberit duhet të zgjojë nga gjumi Kosovën e Shqipërinë

  • E.K /
  • 29 tetor 2020 - 14:20
Anëtari i PDK-së: Fjalimi i Shaip Kamberit duhet të zgjojë nga gjumi Kosovën e Shqipërinë

Bashmir Xhemaj, Drejtori i Komunikimit në PDK, ka thënë se fjalimi i Shaip Kamberit në parlamentin e Serbisë, duhet të zgjojë nga gjumi Kosovën e Shqipërinë, për t’i koordinuar e aranzhuar veprimet e përbashkëta në politikën e jashtme.

Xhemaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook tha se fjalimi i Kamberit duhet të alarmojë edhe Perëndimin, që sipas tij symbyllazi po e shndërrojnë Serbinë në Bjellorusinë e ardhshme.

“Deputeti Shaip Kamberi nuk foli dje në Kuvendin e Serbisë vetëm në emrin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai foli edhe në emrin e shqiptarëve në Ballkan, për boshnjakët dhe malazezët. Ai ua përplasi në sy pushtetarëve të korruptuar serbë të vërtetën e hidhur që, në Kuvendin prej 250 deputetëve, vetëm 6 deputetë janë opozitë, edhe ata nga pakicat kombëtare në Serbi. Ai denoncoi politikën shoveniste të Millosheviqit, që po vazhdon me mjete të tjera nga fëmijët ideologjik të tij, Vuçiq e Daçiq”.

“Fjalimi i Shaip Kamberit duhet të alarmojë edhe Perëndimin, që symbyllazi po e shndërrojnë Serbinë në Bjellorusinë e ardhshme. Madje, siç e tha me të drejtë deputeti Kamberi, “të paktën atje ka opozitë në rrugë, kurse në Serbi ka vdekur opozita politike, media e lirë dhe shoqëria civile”. Një Serbi jo demokratike, do të jetë edhe më e rrezikshme se ajo e Millosheviqit në të ardhmen e afërt. E shqiptarët janë të parët që do ta vuajnë”.

“Në veçanti, fjalimi i tij monumental duhet ta zgjojë nga gjumi Kosovën e Shqipërinë, për t’i koordinuar e aranzhuar veprimet e përbashkëta në politikën e jashtme. Jo rrallë herë kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve ku Prishtina e kundërshton tregun rajonal, e Tirana avokon për të. Apo, kur Prishtina e refuzon mini-shengenin e Tirana lobon për të. Shqiptarët ndalen e burgosen çdo ditë që kanë zgjedhur të udhëtojnë nëpër Serbi, e qeveritë tona heshtin e mjaftohen vetëm me deklarata. Ministritë e Jashtme në Kosovë dhe Shqipëri kanë dështuar deri tani për të denoncuar çdo ditë hegjemoninë e re politike, ushtarake e jo demokratike që po lindë në Ballkan” , ka shkruar Xhemaj.

(Kosova Sot Online)