Përpos virusit, amerikanët me rekord edhe në blerje armësh, kaq blenë këtë vit

  • E.K /
  • 30 October 2020 - 10:05
Përpos virusit, amerikanët me rekord edhe në blerje armësh, kaq blenë këtë vit

Sipas analizës së një kompanie që merret me armët, amerikanët kanë blerë rreth 17 milionë armë gjatë këtij viti, kur kanë mbetur edhe dy muaj deri në fundin e tij. Kjo është shifra më e lartë e shitjes së armëve në 20 vjetët e fundit.

Shitja e armëve në mbarë territorin e Shteteve të Bashkuara fillimisht shënoi rritje në pranverë, pas frikës nga pasojat e koronavirusit, dhe arriti në nivel edhe më të lartë në verë, gjatë protestave masive kundër diskriminimit racor, të nxitura nga vrasja e amerikanëve me ngjyrë nga policia.

“Në gusht e kaluam shifrën e numrit të përgjithshëm të armëve të shitura vitin e kaluar. Në shtator e kaluam rekordin e të gjitha kohërave”, tha Jurgen Brauer, kryeekonomist në kompaninë “Small Arms Analytics”, e cila citohet gjerësisht për shitjen e armëve në Shtetet e Bashkuara.

Numri i vlerësuar i armëve të shitura në ShBA deri në fund të shtatorit nuk është vetëm më i madh se vitin e kaluar, por më i lartë se në cilindo vit në 20 vjetët e fundit”, shtoi Brauer.

Rekordi i mëparshëm i shitjes së armëve gjatë një viti të plotë ishte 16.6 milionë në vitin 2016, kur Donald Trumpi dhe Hillary Clintoni garonin në zgjedhjet presidenciale. Në atë kohë, zonja Clinton kishte premtuar kontroll më të rreptë të shitjes së armëve.

Rritja e shitjes së armëve në ShBA vjen në kohën e ngritjes së tensioneve dhe polarizimit të madh politik. Kompania “Walmart” tashmë i ka kufizuar llojet e armëve dhe armatimit që shet pas të shtënave masive dhe dhunës në raste të ndryshme.

Brauer tha se shtimi i shitjes së armëve erdhi kryesisht pas rritjes së shitjeve të pistoletave, por amerikanët gjithashtu kanë blerë edhe më shumë armë të gjata.

(Kosova Sot Online)