Pasardhësi i Marko Gjuriqit: Hoti po mashtron, bisedimet në Bruksel s’kanë lidhje me statusin

  • A.P /
  • 30 October 2020 - 17:51
Pasardhësi i Marko Gjuriqit: Hoti po mashtron, bisedimet në Bruksel s’kanë lidhje me statusin

Petar Petkovic, shefi i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka akuzuar Kryeministrin Hoti se po e mashtron opinionin lidhur me bisedimet në Bruksel. Duke i vazhduar akuzat pwr mosthemelimin e Asociacionit, ai ka thënë se pala kosovare kur e ka dërguar çështjen e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese nuk e ka bërë pyetjen e duhur qëllimshëm.

Sipas Petkovic “Hoti duke i vazhduar mashtrimet gabimisht po i interpreton marrëveshjet në Bruksel duke i shpikur pengesat administrative për implementimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Në një njoftim për media zyra për “Kosovë e Metohi” siç i referohen ata Kosovës thekson se asnjë marrëveshje e Brukselit “nuk ka asnjë lidhje me statusin e krahinës tonë jugore e as procesi i normalizimit nuk ka asnjë lidhje me rezultatin e dialogut që e do Hoti, që është vetëm pjellë e imagjinatës së tij”.

“Normalizimi i marrëdhënieve është proces me të cilin mospajtimet reciproke duhet të mënjanohen jashtë kontekstit të synimeve separatiste të elitës politike në Prishtinë” theksohet në njoftim.

Petkovic ka vazhduar akuzat duke thënë se Hoti nuk e flet të vërtetën kur arsyeton faktin që Prishtina qe 7 vjet nuk i përmbush obligimet duke e fshehur prapa vendimit të të ashtuquajturës gjykatë kushtetuese sepse as në gjykatë nuk është bërë pyetja në përputhje me marrëveshjen e Brukselit e as ai nuk është delaruar rreth temës për të cilën është dashur të deklarohet në përputhje me obligimet e marra të Prishtinës.

 “Sipas dokumentit që mban emërtimin Asociacioni/Zajednica e komunave me shumicë të banorëve serbë në Kosovë – parimet e përgjithshme/ elementet kryesore, Prishtina është dashur t’ia përcjellë gjykatës së saj provizionin me të cilën konstatohet se Asociacioni ka karaketer të veçantë, e jo marrëveshja apo statuti i Asociacionit” ka thënë Petkovic.

Po ashtu në pikën 21 të Parimeve të Përgjithshme shkruan qartë se statuti i Asacioacionit do të konfirmohet me provizionin, të cilën Prishtina do t’ia cojë Gjykatës së saj Kushtetuese, thekson ai më tej.

“Hoti nuk i di, ose bëhet se nuk i di elementet themelore të dialogut të Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësim të BE’së” ka thënë Petkovic.

Ndryshe, në njoftim për media dje nga Zyra e Kryeministrit për takimin Lajçak, Hyseni, Petkoviq thuhet se në Bruksel janë diskutuar pensionet dhe kadastri, në kuadër të “marrëveshjes së përgjithshme” që sipas palës kosovare, duhet të përfundojë me njohje. Kjo edhe ka nxitur reagimin e Beogradit.

(Kosova Sot Online)