Gjendet edhe një viktimë e tërmetit në Turqi

  • E.K /
  • 31 tetor 2020 - 12:26
Gjendet edhe një viktimë e tërmetit në Turqi

Numri i viktimave të konfirmuara të tërmetit që goditi pjesën perëndimore të Turqisë dhe disa ishuj grekë në Detin Egje ka shkuar në 27, përderisa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë trupa të tjerë nën rrënoja.

Autoriteti Turk i Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se tërmeti i së premtes, me fuqi prej rreth shtatë shkallësh të Rihterit, ndodhi rreth orës 2 e 51 minuta pasdite sipas kohës lokale, shkruan The Guardian.

Në orët e hershme të së shtunës, shumë njerëz brohoritën të gëzuar pasi ekipet e kërkim-shpëtimit e nxorën të gjallë nga rrënojat një adoleshente. Familjarët dhe të afërmit ende po presin për lajme për ata që janë zhdukur.

Në një rast tjetër, dy gra u shpëtuan nga rrënojat e një ndërtese dykatëshe. Autoritetet turke thanë se së paku 25 persona kanë vdekur nga pasojat e tërmetit në Izmir.

Ndryshe, dy adoleshentë e humbën jetën në ishullin grek, Samos, pasi u zunë nga një mur që u shemb. Së paku 19 persona u lënduan në këtë ishull, i cili ka ndërtesa kryesisht të ulëta.

Numri i viktimave pritet të rritet. Kryetari i Izmirit i tha televizionit CNN në gjuhën turke se së paku 20 ndërtesa janë shembur në këtë qytet. Në Izmir banojnë rreth 4.5 milionë njerëz dhe është destinacion i njohur turistik.

(Kosova Sot Online)