KGjK e pezullon nga detyra gjyqtarin Lekë Prenaj

  • E.K /
  • 31 October 2020 - 11:34
KGjK e pezullon nga detyra gjyqtarin Lekë Prenaj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pas ngritjes së aktakuzës ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj, për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, e ka pezulluar nga detyra këtë të fundit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë KGjK, nëpërmjet një komunikate të lëshuar për medie.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), nën udhëheqjen e Kryesuesit Skender Çoçaj, përmes platformës online mbanë takimin e jashtëzakonshëm me të vetmen pikë të rendit të ditës: Njoftimi i Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për ngritjen e aktakuzës ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj, për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, thuhet në njoftim.

Këshilli pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit  mori vendim për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Prenaj deri në përfundim të procedurës penale. Përgjatë ditës së djeshme, Betimi për Drejtësi raportonte me burime për ngritje të aktakzës ndaj gjyqtarit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për tjetërsim të pronës shoqërore në pronësi të Radio Televizionit të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)