Vjosa Osmani kërkon unifikimin të gjithë popullit

  • E.K /
  • 05 November 2020 - 18:03
 Vjosa Osmani kërkon unifikimin të gjithë popullit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, vlerëson se vendi ka hyrë në një situatë të vështirë pas shkuarjes në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentareve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Ajo thotë se Kosova duhet t’i përgjigjet e unifikuar sfidave.

Në fjalimin e saj të parë në krye të shtetit, Vjosa Osmani ka kërkuar maturi e urtësi nga të gjithë, për t’u përballur me situatën e krijuar, pasi Tribunali i Hagës mori shumicën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet e besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, republikës sonë. Vendi ynë kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale e të forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit, që bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar dinjitetshëm”, ka thënë ajo.

Presidenti Thaçi ka dhënë sot dorëheqje pasi Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tij. Detyrën, siç e parasheh Kushtetuta e vendit, e ka marrë kryeparlamentarja, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

(Kosova Sot Online)