Evropa e alarmuar nga terrorizmi: Franca dyfishon policët në kufi, thirrje për rritje të sigurisë

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 07:53
Evropa e alarmuar nga terrorizmi: Franca dyfishon policët në kufi, thirrje për rritje të sigurisë

Rritja e numrit të rasteve të sulmeve terroriste ka nxitur presidentin francez, Emmanuel Macron, të urdhërojë dyfishimin e numrit të policëve në kufijtë e vendit.

Gjithashtu, Macron, gjatë një vizite në kufirin mes Francës dhe Spanjës, u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian, që të forcojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen.

“Jam në favor të një rishikimi të thellë të Shengenit, pra të rimendohet organizimi i tij dhe të rritet siguria në pikat tona të përbashkëta kufitare”, – u shpreh Emmanuel Macron, president i Francës.

Kreu i shtetit francez kërkoi që vendet e Bashkimit Europian të ndërmerrnin masa serioze lidhur me rregullat që qeverisin zonën Shengen. Macron tha se një kërkesë të tillë do t’ia propozonte Bashkimit Europian gjatë samitit që do të organizohet në dhjetor.

Ndërkohë, Gjermania ka urdhëruar rritje të sigurisë në pikat kufitare dhe ka vendosur kontrolle si masë paraprake për të shmangur rrezikun e sulmeve terroriste. Gjithashtu edhe qeveria britanike ka këshilluar qytetarët të jenë sa më vigjilentë, si dhe e ka vënë shtetin në gatishmëri për çdo parregullsi që mund të haset.

I gjithë ky mobilizim i vendeve ka ardhur si pasojë e dy sulmeve terroriste, njëri prej të cilëve shkaktoi tre të vdekur në Nisë të Francës, kurse tjetri 4 të vdekur dhe 22 të plagosur në Vjenë të Austrisë.

(Kosova Sot Online)