Nën frikën e humbjes, Trumpi tenton të krijojë kaos në Pensivlani me akuza e protesta

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 09:40
Nën frikën e humbjes, Trumpi tenton të krijojë kaos në Pensivlani me akuza e protesta

Zyrtarët e zgjedhjeve në Filadelfia të Pensilvanisë po e vazhdojnë numërimin e votave me postë, ndonëse përkrahësit e kandidatit republikan, Donald Trump, po përpiqen të krijojnë kaos para qendrës së numërimit.

Protestuesit që janë përkrahës të Trumpit, të organizuar nga grupi i fuqishëm konservativ “FreedomWorks”, u mblodhën gjatë tërë ditës të enjten para objektit ku po numërohen votat me postë në Filadelfia. Aty gjendnen mbi 358 mijë vota që janë dërguar me postë.

Përkrahësit e Trumpit në këtë qytet u përballën me protestues të tjerë kundërshtarë, të cilët lëshuan muzikë dhe brohoritën në përkrahje të numërimit të secilës votë, shkruan The Guardian.

Zyrtarët e fushatës së Trumpit janë shumë të përqendruar në situatën në Filadelfia, sepse ky qytet është bastion i Partisë Demokratike dhe Bideni po vazhdon të marrë numër të madh të votave që po numërohen atje.

Epërsia e Trumpit në Pensilvani është tkurrur vazhdimisht që nga fillimi i numërimit nga qindra mijëra vota epërsi në vetëm rreth 18 mijë tash për tash.

“Detroiti dhe Filadelfia, të njohura si dy ndër vendet më të korruptuara politikisht në tërë vendin, lehtësisht, nuk mund të jenë përgjegjëse për menaxhimin e rezultatit të një gare presidenciale”, deklaroi presidenti Trump gjatë një konference për gazetarë të enjten në mbrëmje, ku foli pa fakte për plot teori të pabaza konspirative rreth zgjedhjeve.

Megjithatë, zyrtarët e fushatës së Trumpit deri më tani nuk kanë paraqitur dëshmi konkrete të ndonjë rasti të manipulimit të votave gjatë numërimit, proces që ka vazhduar normalisht prej fillimit të tij.

(Kosova Sot Online)