Hetuesit e Speciales mblidhen te shtëpia e Rexhep Selimit

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 13:22
Hetuesit e Speciales mblidhen te shtëpia e Rexhep Selimit

Bastisja në shtëpinë e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit, është duke vazhduar ende. Para pak minutash, atje është shtuar prezenca e hetuesve të Speciales.

Aktualisht para shtëpisë së tij gjenden pesë vetura të EULEX’it, një prej të cilave shumë afër hyrjes.

Ky operacion po kryhet me mbështetje të EULEX’it dhe Policisë së Kosovës.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka konfirmuar se është duke kryer operacione në Kosovë.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ZPS-ja ka njoftuar se aksionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.

Zyrtarë të EULEX-it kanë kryer bastisje edhe në shtëpinë e ish presidentit Hashim Thaçi.

Dhomat e Specializuara në Hagë dje kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 5 nëntor, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua atje një ditë më parë, më 4 nëntor.

Kjo aktakuzë, prej 68 faqesh, që është e redaktuar, është konfirmuar më 26 tetor 2020, thanë Dhomat e Specializuara.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

(Kossova Sot Online)