ShBA-ja shënon rekord prej rreth 130.000 rastesh me COVID-19 për një ditë

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 12:34
ShBA-ja shënon rekord prej rreth 130.000 rastesh me COVID-19 për një ditë

Sipas agjencisë Reuters, Shtetet e Bashkuara në 24 orët e fundit i kanë regjistruar 129.606 raste të reja të infektimeve me koronavirus, duke shënuar rekord që nga fillimi i pandemisë.

Në mesin e zgjedhjeve presidenciale, kjo rritje e paraqet herën e katërt me më shumë se 100.000 raste për një ditë në Shtetet e Bashkuara, që mesatarisht po shënojnë nga 95.000 raste për 24 orë në javët e fundit.

Njëzet shtete nga 50 sa janë gjithsej raportuan shifra rekorde të rasteve të premten, aq sa të enjten, kur shifra ditore në nivel kombëtar për herë të parë shkoi në mbi 120.000, shkruan Reuters.

Shteti Illinois për herë të parë regjistroi mbi 10.000 raste ditore, ndërsa shifra rekorde u raportuan edhe në Indiana, Kansas, Minnesota, Missouri, Nebraska, Dakotë Veriore, Ohio dhe Wisconsin.

Disa qytete dhe shtete kanë vendosur orë policore dhe i kanë ndaluar tubimet në përpjekje për ta luftuar përhapjen e mëtejme të virusit, por qeveria qendrore nuk ka marrë masa në nivel mbarëkombëtar. Në 17 shtete nuk kërkohet as vendosja e maskave.

(Kosova Sot Online)