Pamje nga protesta e gastronomëve me tenxhere e lugë

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 13:51
Pamje nga protesta e gastronomëve me tenxhere e lugë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka protestuar të shtunën në Prishtinë kundër masave të reja kundër koronavirusit, që parashohin mbylljen e sektorit të gastronomisë në shtatë komuna, nga dita e premte deri të hënën në mëngjes.

Kosova së fundmi është duke shënuar numër rekord të rasteve me koronavirus që kur filloi pandemia në muajin mars.

Para mediave ka folur kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, duke e konsideruar të papranueshme marrjen e masave të reja.

“Nuk jemi kundër shtetit ose qeverisë. Presim një pako të veçantë për sektorin e gastronomisë. Nga ndihmat e qeverisë kanë përfituar edhe barnatoret, të cilat kanë punuar, kurse ne kemi qenë tërësisht të mbyllur”, tha Kllokoqi.

Sipas tij, nëse Qeveria e Kosovës nuk do të ndihmojë sektorin e gastronomisë, të hënën do të ketë protestë edhe më të madhe para qeverisë.

Të premten Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbyllë shumicën e bizneseve nga e premtja deri mëngjesin e të hënës, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë vendim janë përfshirë edhe bizneset e gastronomisë.

Bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike përgjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit.

(Kosova Sot Online)