Joe Biden u zgjodh president por Trump nuk dorëzohet kollaj

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 21:01
Joe Biden u zgjodh president por Trump nuk dorëzohet kollaj

Donald Trump, sipas njoftimeve në media nuk do të njohë fitoren e kandidatit demokrat, Joe Biden.

“Fakti i thjeshtë është që këto zgjedhje nuk kanë marrë fund ende”, bëri të ditur Trump të shtunën.

Biden “në mënyrë të gabuar” e paraqet veten si fitues dhe mbështetet në këtë pikë nga “aleatët e tij të medias”, ka thënë Trump.

Trump kishte bërë të ditur që më parë, se do të hedhë në gjyq rezultatin dhe për këtë do të shkojë deri në Gjykatën Supreme.

Presidenti ka folur për manipulime masive zgjedhore, por nuk ka sjellë deri më tani prova për atë që “demokratët” duan t’i vjedhin zgjedhjet.

Shanset e padive të Donald Trump për zgjedhjet konsiderohen të vogla.

Edhe në radhët e republikanëve është shtuar kritika për deklaratat e presidentit amerikan, sepse me sulmin ndaj sistemit zgjedhor, ai sulmon një nga shtyllat qendrore të demokracisë.

Trump deri më tani ka lënë të kuptohet, se nuk do ta dorëzojë aq lehtë Shtëpinë e Bardhë.

Mandati i presidentit në detyrë merr fund më 20 janar, ditën kur betohet presidenti i ri.

(Kosova Sot Online)