Qeverinë Hoti e shpallën “Non Grata”, zëvendëskryeministri i fton gastronomët për kafe

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 17:31
 Qeverinë Hoti e shpallën “Non Grata”, zëvendëskryeministri i fton gastronomët për kafe

Vetëm pak minuta pasi gastronomët e vendit e shpallën Qeverinë Hoti “Non Grata”, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri i ka ftuar ata për kafe.

Sipas Tahirit, gastronomët nuk e kanë kuptuar saktë vendimin e Qeverisë.

“Meqë nuk e paskeni kuptuar saktë vendimin e Qeverisë që në një situatë tmerrësisht të rëndë u ka lënë hapësirë që të punoni, minimalisht 14 orë në ditë, edhe pse ka pasur ide që të mbyllej gjithçka, dhe meqenëse ju nuk po qitni kafe, atêherë ju thërras unë të gjithë juve nesër në ora 12 për kafe, në zyrën time, në Qeveri. Aty do të sqaroheni edhe më shumë! Mirë se vini!”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka prezantuar sot masat e reja që pritet të miratohen për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kundër këtyre masave kanë dal gastronomët e vendit.  Si kundërpërgjigje për këto masa, ata i kanë shpallur 21 zyrtarë të shtetit si persona të padëshiruar nëpër lokalet e tyre.

Lista fillon me kryeministrin Hoti e përfundon me zëvendëskryeministrin Goran Rakiç. Pjesë e kësaj liste janë edhe të gjithë ministrat e kësaj qeverie.

“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në emër të të gjithë anëtarëve të saj, shpall Qeverinë e Kosovës NON GRATA (të padëshirueshëm). Nuk do t’ju shërbejmë në kafe, bare dhe restorante. Vendimi hyn në fuqi menjëherë!”, thuhet në njoftimin e gastronomëve.

(Kosova Sot Online)