Reagon Rama: Deklaratat e Vuçiqit janë të kota, Serbia e ka humbur luftën dhe Kosova është shtet

  • G.G /
  • 13 November 2020 - 11:14
Reagon Rama: Deklaratat e Vuçiqit janë të kota, Serbia e ka humbur luftën dhe Kosova është shtet

Kryeministri Edi Rama ka folur për Kosovën dhe komentoi deklaratat provokuese të Aleksandër Vuçiq.

Sipas Ramës nuk ka asnjë mundësi që Kosova dhe Serbia të përfshihen në luftë.

“Për çfarë lufte flitet. Çfarë lufte provokoi Vuçiq. Serbia e ka humb luftën. Kosova është një shtet i pavarur dhe demokratik. Po, Kosova ka bërë shumë gabime në marrëdhëniet diplomatike dhe ka humbur shumë terren, por nuk ka shanse për gjëra të tjera, ata janë deklarata të kota”- tha Rama,

Një deklaratë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç i cili e krahason konfliktin me Kosovën me atë të Nagorno-Karabak ka ngritur reagime të shumta në Kosovë.

Vuçiç tha për gazetarët se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, ndërsa për ta ilustruar pasojat që mund të ketë sipas tij ka përmendur luftën që po zhvillohet në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.

Ai theksoi që Beogradi duhet të punojë për arritjen e zgjidhjes përmes kompromisit me Kosovën.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiq.

(Kosova Sot Online)