Avokati shpjegon mënyrën e vetme se si Trumpi mund të mbetet president

  • E.K /
  • 19 November 2020 - 11:34
 Avokati shpjegon mënyrën e vetme se si Trumpi mund të mbetet president

Pas shumë proceseve gjyqësore të hapura nga ekipi i presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump, shumë pyesin për strategjinë e ekipit të Trumpit dhe planin që mund ta ndjekin.

Televizioni NTD ka folur me avokatin dhe ish-profesorin e Jurisprudencës në Harvard, Alan Dershowitz, i cili e ka analizuar mundësinë ligjore që Trump të mbetet president.

Dershowitz fillimisht ka përmendur dy lloje të padive që ekipi Trump i ka ngritur për zgjedhjet e fundit presidenciale, padinë ‘me shumicë’ (wholesale) dhe atë ‘me pakicë’ (retail). Paditë ‘wholesale’, si ato në Pensilvani merren me çështje ligjore që merren me mijëra vota në një rast. Ndërsa paditë ‘retail’, si në rastin e Michiganit dhe Arizonas merren me çështje rast pas rasti. Sipas Dershowitz, këto të fundit kanë më pak ndikim dhe është më vështirë për t’u vërtetuar.

Ai ka folur edhe për strategjitë e ekipit të Trumpit për të synuar që të dëshmojnë se ka pasur manipulime me vota.

“Strategjia e ekipit të Trumpit nuk është që ta çojë Trumpin drejt 270 votave elektorale pasi kjo është e pamundur, strategjia është ta mbajë Bidenin larg nga fitimi i 270 votave dhe mënyra se si ata mund ta bëjnë këtë është duke ngritur mjaftueshëm pengesa ligjore në mënyrë që shtetet të mos i certifikojnë zgjedhjet në kohë për mbledhjen e Kolegjit Elektoral në mes të dhjetorit”, ka thënë Dershowitz.

Në rast se elektorët nuk i kanë 270 vota për Bidenin në Kolegjin Elektoral deri në mes të dhjetorit, atëherë çështja do të shkojë në Dhomën e Përfaqësuesve (Kongres), ku sipas Dershowitz, Trump mund t’i fitojë zgjedhjet.

Kjo sepse, -siç shpjegon avokati- në zgjedhjet presidenciale secili shtet merr vetëm një votë nga delegatët e tyre dhe Republikanët kanë më shumë përfaqësues në Dhomën e Përfaqësuesve.

Dershowitz gjithshtu tha se zgjedhjet në Pensilvani s’kishin lidhje me ligjin ose strategjitë legjislative, por vetëm me numrat.

“Nëse numri i votuesve që votuan për Bidenin dhe jo Trumpin tejkalon numrin e votave që po kontestohen, atëherë zgjedhjet janë në rregull dhe Gjykata nuk do ta pranojë çështjen, por nëse votat e kontestuara e tejkalojnë diferencën midis Bidenit dhe Trumpit, atëherë Gjykata e kalon çështjen në favor të Trumpit”, tha Dershowitz. 

(Kosova Sot Online)