Turqia ndalon kontrollin e ushtarëve gjermanë në anijen e dyshimtë

  • A.P /
  • 23 November 2020 - 23:18
Turqia ndalon kontrollin e ushtarëve gjermanë në anijen e dyshimtë

Turqia ndaloi forcat gjermane që i përkisnin një misioni ushtarak të Bashkimit Evropian, të cilët do të kryenin një kontroll të plotë të një anijeje mallrash turke të dyshuar për transportimin e armëve në Libi. 

Sipas agjencisë Reuters, Ministria Gjermane e Mbrojtjes ka njoftuar sot se ushtarët gjermanë hipën në anijen turke, Rosaline A, gjatë natës në Mesdhe, por nuk vazhduan kontrollet dhe iu desh të tërhiqeshin pasi Turqia u doli kundër.

Ushtarët gjermanë po vepronin si pjesë e një misioni të BE,  i cili synon të ndalojë armët të arrijnë në Libi.

Një zëdhënës i Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes tha se ushtarët nuk kishin gjetur asgjë të dyshimtë gjatë kontrollit të tyre të pjesshëm të anijes por u ndaluan të bënin kontrollin e plotë.

Ndërkohë, burimet e sigurisë turke thanë se Rosalina-A mbante materiale të ndryshme si ushqime dhe bojë dhe se ekipi i kërkimit kishte shkelur ligjin ndërkombëtar duke dashur të kontrollojë anijen pa pritur lejen nga Turqia.

Sipas të dhënave të Refinitiv Eikon, anija konteiner 16,000 ton ishte larguar nga porti turk Gemlik nga Bursa javën e kaluar dhe ishte parë për herë të fundit në Athinë, duke u drejtuar në jugperëndim të Libisë.


(Kosova Sot Online)