Zemaj: Brenda disa ditëve Spitali i Gjilanit do të pajiset me aparaturën për PCR

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 15:00
Zemaj: Brenda disa ditëve Spitali i Gjilanit do të pajiset me aparaturën për PCR

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë vizitës në Gjilan, ku vizitoi edhe spitalin e kësaj komune, tha se ky spital shumë shpejt do të pajiset edhe me pajisjen për kryerjen e testeve për Covid-19, PCR.

Ai ka thënë se aparaturat për kryerjen e testimeve PCR kanë ardhur në Kosovë, por kanë mbetur vetëm proceduar teknike.

“Pajisja PCR shumë shpejtë do të jetë në qendrën rajonale. Kapacitetet testuese janë katërfishuar në IKSHPK, ato kapacitete kanë mbuluar edhe nevojat e qendrës rajonale. Punën do ta lehtësojë pajisja PCR. Është çështje e ditëve kjo punë, pajisjet kanë ardhur në Kosovë, janë vetëm procedurat teknike”, ka thënë ai.

Zemaj ka thënë tutje se të gjithë duhet t’i ndjekin udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pasi ashtu ua lehtësojnë punën edhe punëtorëve shëndetësorë.

Ndërsa, Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismaili, tha para mediave se për momentin në Spitalin e Gjilanit janë të shtrirë 123 pacientë, 77 prej të cilëve janë të konfirmuar me Covid-19.

“Janë 123 pacientë në spital, 77 janë  të konfirmuar  me virus, pjesa tjetër janë me terapi. Në po mundohemi ta bëjmë më të mirën e mundshme, duke iu falënderuar edhe investimeve që janë bërë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)