Rusia thotë se vaksina Sputnik është 95 për qind efektive, ia tregon çmimin

  • E.K /
  • 24 November 2020 - 14:46
Rusia thotë se vaksina Sputnik është 95 për qind efektive, ia tregon çmimin

Zhvilluesit e vaksinës ruse Sputnik V kanë pretenduar se ka efikasitet 95 për qind dhe do të kushtojë më pak se 10 dollarë në tregun ndërkombëtar.

Ata gjithashtu thanë se vaksina me dy doza mund të ruhet në temperatura nga 2 deri në 8 gradë, ndryshe nga temperatura nën zero, që kërkohet nga prodhuesit e vaksinës në kompanitë “Moderna” dhe “Pfizer”.

Vaksina e Oksfordit dhe kompanisë “AstraZeneca” gjithashtu mund të ruhet në temperaturë të frigoriferit të zakonshëm, shkruan The Guardian.

Njoftimet e kaluara të shkencëtarëve rusë kanë nxitur paralajmërime nga ekspertët në nivel ndërkombëtar, të cilët kanë thënë se Rusia po jep njoftime të parakohshme pa të dhënat e duhura, shkruan The Guardian.

Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë e Rusisë, qendra kërkimore “Gamaleya” dhe Fondi Rus për Investime Direkte thanë se llogaritja e efikasitetit të vaksinës është mbështetur në të dhënat preliminare që janë nxjerrë 42 ditë pas dozës së parë.

Në këtë deklaratë u tha se 22.000 vullnetarë e kanë marrë dozën e parë, ndërsa mbi 19.000 i kanë marrë të dyja dozat.

Aty thuhet se vaksina ka shfaqur 91.4 për qind efikasitet 28 ditë pas dozës së parë. Kjo shifër është nxjerrë nga vetëm 39 raste. Dyzet e dy ditë më vonë, pas marrjes së dozës së dytë, të dhënat treguan se efikasiteti i vaksinës është mbi 95 për qind, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë nuk tregohet se sa raste të koronavirusit janë shfrytëzuar për ta llogaritur përfundimisht efikasitetin e vaksinës.

Vaksina Sputnik V nuk ka gëzuar reputacion të gjerë ndërkombëtar. Liderët e BE-së së fundi e paralajmëruan Hungarinë që të mos e importojë këtë vaksinë derisa të autorizohet nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve.

(Kosova Sot Online)