Pas Albin Kurtit, ambasadori amerikan e thërret në takim ‘online’ edhe Ramush Haradinajn

  • A.P /
  • 24 November 2020 - 16:48
Pas Albin Kurtit, ambasadori amerikan e thërret në takim ‘online’ edhe Ramush Haradinajn

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e ka mbajtur një takim virtual me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

Për këtë takim ka njoftuar në Facebook ish-kryeministri Haradinaj, i cili tha se me ambasadorin Kosnett kanë diskutuar për sfidat me të cilat po përballet Kosova.

“Në takimin virtual me ambasadorin Philip S. Kosnett dhe zyrtaren politike Marissa Polnerow, diskutuam sfidat me të cilat përballet Kosova dhe hapat e nevojshëm për të përmirësuar stabilitetin rajonal”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se kanë marrë mbështetje nga SHBA-ja për tejkalimin e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet Kosova.

“ShBA-të ishin pranë nesh në periudhat më të vështira historike dhe në udhëkryqet në të cilat u gjendëm si komb. Në këtë frymë, kaloi edhe bashkëbisedimi i sotëm, ku morëm mbështetjen e plotë amerikane për tejkalimin e gjendjes në të cilën sot ndodhet vendi ynë”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund, ai e ka falenderuar ambasadorin Kosnett “për kujdesin e tij”, ndërsa ka shtuar se “Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara është e përjetshme”.

Kosnett dje kishte zhvilluar një takim të këtij lloji edhe me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin.

(Kosova Sot Online)