“Porosia e Fatos Nanos pas vrasjes së Adem Jasharit”- Zbardhen kujtimet e ish-ambasadorit Bashkim Zeneli: Ja çfarë më tha ministri i Jashtëm gjerman

  • G.G /
  • 25 nëntor 2020 - 11:37
“Porosia e Fatos Nanos pas vrasjes së Adem Jasharit”- Zbardhen kujtimet e ish-ambasadorit Bashkim Zeneli: Ja çfarë më tha ministri i Jashtëm gjerman

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli, Mjeshtër i Madh, tregon se si përjetoi nisjen e luftës në Kosovë, pas masakrës në Drenicë. Në librin e tij “Për Gjermaninë, një histori diplomatike dhe kujtime”, tregon reagimet e menjëhershme diplomatike që ai dhe ministri i jashtëm i asaj kohe, Paskal Milo i cili ndodhej në Mynih ato ditë, bënë menjëherë me autoritetet dhe mediat gjermane pas sulmit të përgjakshëm të serbëve në Kosovë.

BASHKIM ZENELI

TAKIMI ME VIKTOR MEIER DHE FILLIMI I LUFTËS NË KOSOVË

Në javën e fundit të shkurtit shkova në Mynih për t’u takuar me gazetarin e shquar dhe mikun e shqiptarëve, Viktor Meier, siç dhe e kishim lënë me kohë. Por gjatë kësaj kohe ishte realizuar edhe një ftesë e Kryeministrit të Bavarisë, zotit Stoiber, për ministrin e Jashtëm, zotin Paskal Milo. Vizita do të realizohej në fund të shkurtit

Me Viktor Meier do të takoheshim në një restorant tipik bavarez në qendër të Mynihut. Kishte mbetur po ai burrë elegant dhe i veshur me sqimë, me xhaketë sportive me vija të holla, mbahej shumë mirë për të shtatëdhjetat që kishte mbi supe. “Ja, e shikon”, më tha sapo u takuam, “u pamë përsëri… sa vite u bënë? Gëzohem shumë që po shihemi, zoti ambasador… por më lejo të të thërras Bashkim?”. Më pyeti për Engjëllushen e vajzat që i kishte njohur në shtëpinë tonë.

Që në fillim më tha se kishte vetëm dy orë kohë, se pastaj do të shkonte në një veprimtari e më tej do të nisej me tren për në shtëpi, në Zvicër. Do të flasim hapur më tha, do të flasim me njëri-tjetrin dhe jo për gazetë.

Mbasi i fola për situatën në Shqipëri, ai u interesua të dijë më shumë për çfarë kishte ndodhur një vit më parë me firmat piramidale dhe revoltat masive të qytetarëve. I fola hollësisht duke u ndalur më tepër te sfidat që po përballohen sot për stabilizimin e situatës. Më pas, krejt natyrshëm biseda rrodhi te zhvillimet në Kosovë.

Që në fillim Viktor Meier më tha: “Bashkim, unë e shoh në përkeqësim situatën në Kosovë. Unë konfrontimin e shoh shumë të shpejtë, çdo analizë aty të çon. Forcat e ushtrisë dhe paraushtarakët serbë e kanë nisur këtë përplasje, pa dyshim edhe shqiptarët e Kosovës kanë kohë që nuk po rrinë duarkryq. Kështu duhen parë gjërat. Shqiptarët e Kosovës po armatosen për të luftuar. Pra, do të përplasen dhe për Jugosllavinë, kjo nuk do të thotë më që të ketë thjesht përballje me milicinë. Me siguri do të ndërhyjë edhe ushtria. Unë e njoh shumë mirë këtë histori. Ajo nuk fillon me Millosheviçin, ai po e zbaton. Përshkallëzimi mund të jetë i madh. Dhe del një pyetje: Ç’do të bëjë Shqipëria? Do të rrijë ajo duarlidhur? Jo! Po vendet fqinjë të rajonit ç’do të bëjnë? Ç’do të bëjë Gjermania, ç’do të bëjë SHBA ? Unë mendoj se tani as nuk duhet folur për statusin e mundshëm të Kosovës, por mendoj se ka shumë rëndësi të mos thuhet ne jemi kundër pavarësisë.

Nuk bëhet fjalë për pavarësi për sot apo nesër, kështu që të mos thuhet tani, se ne jemi kundër, kjo do të ngjallë reaksion te shqiptarët e Kosovës, edhe ka ngjallur. Sot perëndimorët duhet të shohin se çfarë po ndodh dhe mbi të gjitha, si mund të parandalohet ajo që mund të ndodhë. Unë e kuptoj shumë mirë se të dy palët, por sidomos shqiptarët, e kanë të vështirë të ulen sot për dialog në tavolinë. Serbët mund ta kërkojnë këtë vetëm për demagogji, vetëm për ndërkombëtarët.

Grupi i Kontaktit nuk po arrin të ketë një qëndrim të përbashkët të të gjitha vendeve. Unë e shikoj me shqetësim se shqiptarët po akuzohen si terroristë, unë nuk i shikoj kështu. Sigurisht që mund të ketë veprime terroriste, por më parë duhet të shohim një popull që prej kaq e kaq kohësh po kërkon liri, barazi, të drejta.

Kulla e Jasharëve në Prekaz, nga ku nisi l

Por në Kosovë aktualisht ka një problem të madh, udhëheqësit shqiptarë nuk po merren vesh me njëri tjetrin, kjo është e papranueshme, e papërgjegjshme, kam përshtypjen se të gjithë duan të dalin të parë. Unë i njoh, kam pasur edhe kontakte me to, sidomos në Zvicër. Ndërkombëtarët duhet të punojnë në këtë drejtim. Jo vetëm SHBA dhe Gjermania duhet ta bëjë këtë. Ata duhet të punojnë shumë edhe me rusët, në një mënyrë apo në një tjetër, rusët mbajnë anën e Millosheviçit dhe flasin për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Pastaj zoti Meier më tha se duhet të ndryshojë shumë imazhi i Shqipërisë, kanë mbetur në kujtesë ngjarjet e vitit të kaluar, ngjarje të tmerrshme. Mos shiko vetëm politikën zyrtare, ajo është shumë e qartë ndaj Shqipërisë. Shiko ç’dinë e çfarë duan të dinë gjermanët në këto momente për Shqipërinë. Kjo ka shumë rëndësi. Unë do të takohem mbasdite me një koleg timin, me një mik timin shumë të mirë, quhet Mathias Rüb, që punon në “Frankfurter Allgemeine”. Do t’i flas për ty, por edhe ti duhet të dalësh sa më shumë në televizione e të flasësh për Shqipërinë dhe Kosovën. Këtë bëje përherë! U ndava me shumë mirënjohje e respekt me këtë gazetar të famshëm dhe e lamë që të komunikojmë për të gjetur mundësinë për t’u takuar përsëri.

Në darkë isha ftuar me Engjëllushen në shtëpinë e mikut tim, profesor doktor Adnan Kastrati, kardiologut të njohur. Me të shoqen na pritën shumë miqësisht, me mallin për të biseduar. Profesor Adnani kishte disa vite që jetonte me familjen në Mynih. Nuk e teproj aspak, atëherë në vitin 1998, e jo më sot në vitin 2015, të them se Nandi ishte bërë një nga kardiologët më të shquar në Gjermani.

Ai ishte bërë i famshëm dhe njihej kudo në rrethet e mjekësisë dhe akademisë. Ishte vërtet krenari për ne, për ne shqiptarët, që profesor Kastrati shkonte gati për çdo muaj nga njëri kryeqytet në tjetrin, për të dhënë leksione në universitete nga më të njohurit në botë, me një axhendë të përcaktuar muaj apo edhe një vit më parë. Profesor Kastrati, “der albaner” (profesor Kastrati, “shqiptari”), thuhej për të, jetonte thjesht në një apartament të zakonshëm. E kaluam shumë ngrohtë atë darkë familjare, me atë çift të mrekullueshëm shqiptar. Sot Adnan Kastrati është bërë edhe më i famshëm, e jo vetëm në Gjemani, por edhe në Europë e botë.

Të nesërmen në Mynih nisi vizita e ministrit të Jashtëm Paskal Milo. Ai do të takohej me Kryeministrin e Landit, Edmund Stoiber, njëkohësisht kryetar i CSU-së (Unioni Kristian Social). Zoti Stoiber ishte Kryeministër që nga viti 1994. Zoti Milo do të takohej edhe me Kryetarin e Parlamentit, zotin Johannes Böhim, si dhe me disa ministra të kabinetit. Në të gjitha këto takime u fol për situatën në Shqipëri dhe punën që po bëhej për kapërcimin e problemeve të krijuara nga një vit më parë. Zoti Milo vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces, të konfirmuar edhe pak ditë me parë nga ministri Kinkel në Tiranë.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel

Edhe tema e Kosovës do të zinte një vend qendror. Bashkëbiseduesit gjermanë ishin tepër të interesuar për t’u njohur nga afër me atë që po ndodhte në Kosovë. U shpreh shqetësimi për rrezikun e konfrontimit të armatosur, nëse Millosheviçi nuk do të merrte sinjale të qarta dhe të prera nga bashkësia ndërkombëtare. Me Kryeministrin Stoiber u bisedua edhe për problemin e njohur të profesoraturës në Universitetin e Mynihut dhe ai tha se kishte biseduar për këtë çështje edhe me zotin Kinkel. Na siguroi që shpejt do të kishte një zgjidhje pozitive.

Gjatë këtij takimi zoti Stoiber kërkoi që zoti Milo të ndikojë me qeverinë shqiptare për çeljen në Shqipëri të një filiali të Bankës Bavareze (“Bayrische Land Bank”). (Për pesë vitet e qëndrimit tim kjo kërkese u përsërit vazhdimisht, por as atëherë e as sot ky filial nuk është hapur). Po kështu ndodhi edhe me “Bayrische Haus” (Shtëpia Bavareze) që do të shërbente për koordinimin dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, teknik e shkencor midis Landit të Bavarisë dhe Shqipërisë dhe kjo pati të njëjtin fat me gjithë interesimin tim të vazhdueshëm.

Të nesërmen na u tha se Kardinali i Bavarisë, doktor Friedrich Ëetter, kishte shfaqur interes për takim me ministrin Milo. Ai u realizua në mbasditen e asaj dite. Kardinali Ëetter na tha se kishte biseduar edhe me Papatin në Romë, për të çelur një universitet katolik në Tiranë dhe ishte rënë dakord. Ai propozoi gjithashtu që nëpërmjet Kishës Katolike në Shqipëri të vinin studentë në Universitetin Katolik në Mynih me bursë gjermane në degët: Teologji, Sociologji, Filozofi dhe Pedagogji. Kjo kërkesë iu përsërit edhe Presidentit Meidani, nga një takim që pati më vonë me kardinalin Ëetter, por nuk u realizua asnjëherë.

Në takimin që zhvilluam me drejtues të Universitetit “Ludëig Maximilian”, midis të tjerash na u tha se ky Universitet kishte në dispozicion të Universitetit shqiptar në Kamëz një fond shumë të pasur librash. Një gjë të tillë do të bënte disa muaj më vonë edhe Universiteti i Shtutgardit me Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Në darkë në një nga soletat e hotelit “Vier Jahreszeiten”, ministri Milo dhe unë u takuam me një grup drejtuesish kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës për Gjermaninë dhe më gjerë. Këtë ma kërkoi një ditë më parë miku im i vjetër i gazetarisë, por edhe i miqësisë së familjeve tona në Shkodër, Bedri Islami. Ai ishte drejtues kryesor i kësaj lëvizjeje. Një idealist i rrallë, një veprimtar i palodhur për çështjen e Kosovës. Përveç Bedriut ishin edhe Fehmi Lladrovci dhe Rexhë Iberdemaj. Ndenjën aty edhe vëllai i Fehmiut, Ramizi, sot ambasador i Kosovës në Tiranë, dhe gazetari e publicisti i njohur Syl Ukshini, edhe ai këshilltar në Ambasadën e Kosovës.

Takimi ishte shumë i hapur dhe vëllazëror. Atë mbrëmje ne kemi ndenjur duke biseduar deri në orët e para të mëngjesit. Porosisnim të na sillnin ujë dhe kafe (gjermane).

Zoti Milo u foli për situatën në Kosovë, për qëndrimin e qeverisë shqiptare, për takimet me udhëheqës politikë, por edhe të botës akademike, intelektualë dhe veprimtarë të njohur në Kosovë. Ai i vuri në dijeni edhe për qëndrimet e Gjermanisë dhe vizitën e ministrit Kinkel në Tiranë, por edhe qëndrimet ndërkombëtare në përgjithësi ndaj çështjes së Kosovës.

Foli shumë qetë Bedriu, që vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe posaçërisht të zotit Milo, por theksoi se askush nuk duhet të ketë iluzion, se çështja e Kosovës mund të zgjidhet me dialog e politikisht, sa të jetë në pushtet Millosheviçi. Ne nuk mund të lejojmë që në Kosovë të vriten njerëz dhe të shtypet një popull i tërë.

Fehmi Lladrovci ishte i papërmbajtur. Ai e njihte situatën jo thjesht në përgjithësi, por qytet më qytet, fshat më fshat. Që në fillim na tha se unë nuk pres më këtu në Gjermani, unë do të nisem për të luftuar në Kosovë, dhe do të nisem me shoqen time. Ne kemi kohë që punojmë. Kosova nuk mund të ketë paqe e liri nën Serbi, këtë duhet ta dinë mirë të gjithë… Europa planet duhet t’i bëjë me ne e jo ndër vedi… “Ti po e njeh mirë historinë dhe të respektojmë shumë”, – iu drejtua ministrit Milo, – “por pa luftë ne do mbesim tanë jetën nën robërinë e serbit. Nuk ka kohë me pritë, se do na njollosë historia e brezat e ardhshëm”. Edhe Rexha fliste me nerv, ndërsa Ramizi e Syla nuk patën çfarë të thonë më tepër. Syla na bëri edhe disa fotografi.

Mesazhi që morëm ishte shumë i qartë: do të luftonin me armë në dorë për çlirimin e Kosovës. Për Paskal Milon dhe mua kjo nuk ishte e panjohur, por këtu në Mynih nga drejtuesit e LPK-së, që politikisht drejtonin UÇK-në, kjo u tha shumë hapur.

Sot lexon e dëgjon shumë për atë luftë në Kosovë. Shkruhet e flitet se ishin apo nuk ishin heronj ata që luftuan e dhanë jetën. Kjo ishte një luftë e madhe, për çlirimin e Kosovës. Ata që luftuan, ishin heronj; ata që u flijuan, ishin heronj. Kam njohur shumë në Gjermani që janë nisur për luftë dhe kanë mbetur për liri.

Të nesërmen ne shkuam në një veprimtari jashtë Mynihut. Kur po ktheheshim më merr në telefon një gazetar nga Kosova që punonte në Bon, Beqe Cufaj, një djalë shumë aktiv, me lidhje shumë të mira me shtypin gjerman, i kudondodhur dhe një patriot që e shprehte qartë sapo të nisje të flisje me të për Kosovën. Ishte ndër të parët që erdhi në ambasadë të më uronte mirëseardhjen.

Dhe në këto tre, katër muaj do të takoheshim shpesh edhe në ambasadë edhe në ndonjë kafene. Kishte lidhje shumë të mira me drejtues të “Bundespresseamt” (Zyra Federale e Shtypit) dhe ishte përherë i informuar. “A e more vesh ambasador”, – mu drejtua, – “plasi, plasi në Kosovë. Forcat serbe kanë sulmue dy fshatra, Likoshanin dhe Qirezin, janë në zonën e Drenicës… asht ba luftë ambasador. Forca të ushtrisë dhe paraushtarakë serbë kanë sulmue keqas fshatrat, ka pas edhe armatime të rënda… edhe aeroplanë… kanë hap zjarr mbi burra, gra e fëmijë. Thuhet se janë vrarë mbi tridhjetë vetë… Thuhet se milicë serbë kanë sulmue edhe kullën e Baca Adem Jasharit, por ai i ka kthye mbrapsht… Asht situatë e randë, ambasador”.

U shqetësova. “Beqe, shumë faleminderit”, – i thashë, – “të lutem më telefono për çdo të re që do të mësosh. Fola me zotin Milo në detaje, sepse nga reagimet e mija gjatë telefonatës, sigurisht që kishte kuptuar se diçka e rëndë kishte ndodhur. Duke biseduar bashkë, më telefonon Kryeministri Nano: “E more vesh, më duket se shpërtheu sinjali i luftës në Kosovë. Me siguri ke mësuar se çfarë ka ndodhur. Bëj ç’është e mundur për të sensibilizuar autoritetet edhe opinionin. Duhen reagime! Kërkoi të flasë edhe me ministrin Milo. Folën gjatë, i kishte dhënë dhe atij porosi të bisedonte, të shprehnim shqetësimin më të thellë, se tani kjo rrugë nuk do të kishte më kthim mbrapa.

Ndalëm diku makinën, në një lokal. I shpjeguam çdo gjë edhe zotit Modl, të cilit i kërkova që të organizonim një intervistë në mjediset e “BR” (RTV Bavarez). Në fillim i telefonova z. Bujar Bukoshi dhe mbasi shkëmbyem informacione e shqetësime për çfarë kishte ndodhur, i kalova ministrin Milo. Ministri u lidh menjëherë edhe me zyrën e tij në Tiranë, me Edi Sulon dhe Skënder Minxhozin.

Ata nuk dinin më shumë në atë moment. Te dy këta këshilltarë do t’i njihja në ditët e vitet më pas si shumë të aftë, seriozë, të mirinformuar për çdo gjë e punëtorë të palodhur. Sidomos gjatë krizës në Kosovë ata i gjeje në zyrë në çdo orë, sado vonë. Ishin të dy profesionistë të pazëvendësueshëm, por edhe shumë të moderuar, të matur, jo alarmantë, që peshonin situatat e problemet dhe që kurrë nuk e thoshin fjalën e fundit, të parën. Të vjen keq, që vite më vonë, apo edhe sot, gjen këshilltarë cingla… pa emër, pa përvojë, pa personalitet, që luajnë në kompjuter, por që nuk dinë të formulojnë një qëndrim.

Pastaj u lidha me z. Ischinger. Fola shkurt me të dhe i kalova ministrin Milo. Zoti Ischinger, midis të tjerash, i tha se po punonte për të dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen. Na u duk se pas bisedës me të, e karikuam më shumë për theksin që do të kishte deklarata. I telefonova Kryeministrit Nano dhe i shpjegova çdo gjë. “Më dërgo edhe mua një kopje të deklaratës, sapo të dalë”, më tha.

Më pas shkuam, vetëm unë dhe ministri Milo, në mjediset e RTV Bavarez, ku zoti Modl me telefon. Kishte përgatitur një konferencë shtypi. Shkoi çdo gjë shumë mirë. Konferenca u transmetua drejtpërdrejt dhe në orët e mëvonshme, pjesë të saj do të transmetonin edhe kanale të tjera televizive. Në zyrën e zotit Modl morëm edhe deklaratën e qeverisë gjermane, për ngjarjen në afërsi të Drenicës. E përktheva dhe ia nisa menjëherë Kryeministrit Nano, por edhe Skënder Minxhozit, të cilit ministri i dha porosi se si do të veprohej.

Më bie telefoni dhe më del Ramiz Lladrovci: “A e more vesh Bashkim Zeneli ç’ka u ba në Drenicë”. I thashë se dimë gjithçka dhe ministri Milo sapo dha një konferencë shtypi.

Gjermanët kanë dalë me një deklaratë shumë të mirë. Pastaj më tha, foli Fehmiut: “Tash, Bashkim Zeneli, thuaj edhe ministrit Milo, se për ne nuk ka më vend në Gjermani. Tash po i duhena Kosovës”.

Ky ishte dhe takimi im i fundit, biseda e fundit me Fehmi Lladrovcin, një nga heronjtë e shquar të Kosovës, që ra në krye të betejës, bashkë me të shoqen, Xheven.

Mbasdite do të merrnim pjesë në një veprimtari me rreth 400 të ftuar. Ministri Milo foli shkurtimisht për situatën në Shqipëri dhe më pas e gjithë rrjedha e takimit i përkiste Kosovës. Nuk harrova t’i telefonoj zotit Ischinger dhe ta falënderoj. Ai më tha se nesër në mëngjes ministri Kinkel do të flasë në telefon me ministrin Milo. Biseda ndërmjet dy ministrave u bë në aeroport, në përgatitjet për t’u kthyer në Tiranë. Midis të tjerash ministri Kinkel tha se do të bisedonte menjëherë me homologët e tij perëndimorë dhe me ministrin rus Ivanov. Krimet serbe në Kosovë duheshin ndalur, Millosheviçit i duhej bërë e qartë se do të përballej me një qëndrim të ashpër dhe të prerë të komunitetit ndërkombëtar. Kosova dhe populli i saj nuk do të jenë vetëm. Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Ministri Kinkel tha se këtë bisedë do ta bëjë publike, se jemi në kontakt shumë të fortë me autoritetet më të larta shqiptare.

Në Mynih, zoti Milo mori pjesë në përurimin e konsullatës, që drejtohej nga zoti Modl, një godinë shumë e bukur.

U ktheva në Bon dhe bisedova me diplomatët. Unë nga zyra dola me dy intervista për kanale të ndryshme. Duke folur dhe dënuar ngjarjen e rëndë, theksin e vura më shumë në zhvillimet e ardhshme që priteshin të ishin konfrontuese dhe për reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

(Kosova Sot Online)