Dritan Abazoviç u kërcënua me jetë nga Naser Kelmendi?

  • G.G /
  • 25 November 2020 - 12:25
Dritan Abazoviç u kërcënua me jetë nga Naser Kelmendi?

Mediat serbe po pretendojnë se presidenti i Lëvizjes Qytetare URA Dritan Abazovic është kërcënuar nga një anëtar i grupit të Naser Kelmendit.

Sipas gazetës Dan, Abazoviq është një person që ka dokumente malazeze dhe banon në Kosovë.

Krejt këto, duke iu referuar burimeve jozyrtare.

Lëvizja qytetare URA dje mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën ata njoftuan se kishin informacione se Dritan Abazoviq ishte kërcënuar nga një klan kriminal nga rajoni.

Siç njoftuan, një nga anëtarët e atij klani është një shtetas malazez.

Sidoqoftë, partia nuk donte të shpallte zyrtarisht kush ishte.

"Kërcënimet ndaj Dritan Abazoviç janë kërcënime për gjithçka normale dhe progresive në vendin tonë," tha mandatari për përbërjen e qeverisë malazeze, Zdravko Krivokapic.

Ai tha se autoritetet shtetërore duhet të marrin urgjentisht të gjitha masat për të mbrojtur Abazoviç, por edhe qytetarë të tjerë të Malit të Zi.

"Mali i Zi nuk duhet të jetë më kurrë një shtet në të cilin të drejtat themelore të njeriut janë në diskutim," shkroi Krivokapic në Tëitter.

Zoran Miki?, drejtori ekzekutiv i Nismës Qytetare URA, më parë u tha gazetarëve se udhëheqësi i tyre kishte marrë dhjetra kërcënime në rrjetet sociale dhe përmes telefonit që nga zgjedhjet parlamentare.

Abazoviç, i cili është shqiptar me kombësi, do të jetë nënkryeministri i ngarkuar me sektorin e sigurisë dhe ministri i policisë në qeverinë e re malazeze. 

Por kush është Naser Kelmendi?

Naser Kelmendi - me origjinë kosovare dhe me nënshtetësi të Bosnjës, biznesmen dhe i përfshirë në marrëdhëniet politike të shumë vendeve të rajonit - vjen në pah pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e ka vënë në listën e zezë.

Përkrah emrit të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah, Kelmendi llogaritet si personi më i rrezikshëm në Evropë për interesat amerikanë.

Banka Federale e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi. Kërkesa është dërguar përmes Interpolit, ndërsa vendimin formal për fillimin e ngrirjes do ta sjellë komisioni i Bashkimit Evropian.

Për Malin e Zi, Kelmendi ka thënë vetë se e konsideron si atdhe të dytë. Ai nuk e ka fshehur se ka ndihmuar financiarisht referendumin për pavarësinë e këtij vendi në vitin 2006.

“Fushatën e kam ndihmuar me pak para. E kam bërë me dëshirë. Kur ka qenë lufta në Kosovë, shqiptarët e Kosovës janë pritur shumë mirë në Mal të Zi dhe për këtë kam ndjerë obligim ndaj Malit të Zi, si moral ashtu edhe material”, ka deklaruar kohë më parë Kelmendi.

Në Bosnjë janë mirë të njohur edhe tre djemtë e Naser Kelmendit – Elvisi, Liridoni dhe Besniku. Në vitet e fundit, së bashku me babanë e tyre, kanë “grumbulluar” disa kallëzime penale në Prokurorinë e Kantonit të Sarajevës, të cilat kanë të bëjnë me vrasje, tentim-vrasje dhe sjellje të dhunshme.

Që nga viti 2009, mediat kanë shkruar hapur se Kelmendi është njëri nga tregtarët më të mëdhenj të drogës në Ballkan, por ai vetë e ka mohuar fuqishëm.

“Kurrë në jetë nuk jam marrë me drogë dhe as që më ka interesuar”, ka thënë Kelmendi në njërën nga intervistat e rralla që ka dhënë.

Ose Kelmendi nuk e thotë të vërtetën, ose Barak Obamës i janë dhënë informacione të gabuara, në bazë të të cilave e ka futur në listë të zezë. Sido që të jetë, banorët e Sarajevës nuk janë të befasuar me këtë hap të presidentit amerikan.

“Kriminel. Mendoj se është droga në pyetje dhe gjëra të tjera që bëjnë kriminelët”... “E njoh nga shtypi. Kriminel”, thonë ata.

Policia e Serbisë e ka cilësuar si organizator dhe financues kryesor të trafikut të heroinës, që nga Turqia dhe Shqipëria arrin në Pejë dhe më pastaj, përmes Rozhajës, në Novi Pazar dhe nga aty në Evropën Perëndimore. Kelmendin me Serbinë e ka lidhur edhe një pasion, për të cilin ka folur hapur.

“I dua femrat”, ka thënë Kelmendi për të përditshmen malazeze “Vijesti”.

Ai ka lindur në Pejë, në vitin 1958. Disa vite para represionit të Millosheviqit në Kosovë, policia serbe e ka regjistruar për akte të dhunës. Në vitin 1976, kur ishte 19 vjeç, është dënuar me një vjet e gjysmë burgim për tentim-vrasje. Sipas të dhënave të Komunës së Sarajevës, në vitin 1998 ka qenë qytetar me të drejta të plota i Bosnjë e Hercegovinës.

Pak nga të dhënat e biografisë së tij mund të pranohen si të sigurta dhe të vërteta. Në Kosovë thuajse e kanë harruar, por, megjithatë, vendosja e emrit të tij në listën e zezë amerikane nuk mund të injorohet.

“Pozicioni ynë i përgjithshëm është se nuk mund të vërtetojmë e as mohojmë të dhënat për hetimet e personave të caktuar”, është përgjigjja që ka dhënë EULEX-i.

Tani për tani nuk ka konfirmime zyrtare për spekulimet se klani i Kelmendit ka lidhje me Mentor Beqirin, nga pjesa jugore e Mitrovicës. Beqiri është arrestuar në fund të muajit maj nën dyshimet se, në marrëveshje me klanet kriminale serbe të veriut të Kosovës, ka kontrabanduar naftë dhe derivate të saj, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30-40 milionë euro.

Beqiri është arrestuar si bashkëpunëtor i Zvono Veselinoviqit, i cili në dhjetor të vitit të kaluar është arrestuar në Kopaonik të Serbisë, për shkak të një varg aktivitetesh kriminale.

Për EULEX-in, Veselinoviqi është i njohur edhe për organizimin e barrikadave në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Spekulohet se këto klane vazhdojnë të kenë lidhje me Kelmendin. Shërbimet policore të Perëndimit thonë se ato kontrollojnë krimin në Ballkan, por edhe në Itali, Zvicër dhe Gjermani.

“Ne, me ligj, nuk mund të konfirmojmë apo të japim deklarata në lidhje me të kaluarën e tij kriminale, derisa ai nuk është nën hetime në Kosovë apo nëse Kosova nuk ka ndërmarrë diçka kundër tij”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.

(Kosova Sot Online)