Franca ngre aktakuzë për katër nxënës tjerë për vrasjen e mësuesit Samuel Paty

  • G.G /
  • 26 November 2020 - 13:17
Franca ngre aktakuzë për katër nxënës tjerë për vrasjen e mësuesit Samuel Paty

Autoritetet franceze kanë ngritur aktakuzë ndaj katër adoleshentëve për vrasjen e mësuesit Samuel Paty, përfshirë tre që dyshohet se i kanë treguar vrasësit se cili është mësuesi që kishte publikuar karikatura të profetit Muhamed.

Tre nxënës tjerë u akuzuan për bashkëveprim në këtë rast më herët gjatë këtij muaji. Mësuesi Samuel Paty u vra duke iu hequr koka nga një i ri me prejardhje çeçene pasi kishte shfaqur para nxënësve vizatime të profetit Muhamed.

Tre nga katër nxënësit ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë të enjten dyshohet se e kanë identifikuar mësuesin Paty te vrasësi Abdullakh Anzorov, i cili e kishte përcjellë viktimën dhe e kishte vrarë në një rrugë afër shkollës ku punonte.

Sipas një burimi, tre nxënës të akuzuar nga organet e drejtësisë janë të moshës 13 dhe 14-vjeçare dhe akuzohen për bashkëkryerje në vrasje terroriste, shkruan The Guardian.

Vrasja e mësuesit Samuel Paty nxiti reagim të ashpër të presidentit Emmanuel Macron, i cili nisi një fushatë të madhe kundër ekstremizmit.

Franca viteve të fundit është përballur me disa sulme xhihadiste. Që nga viti 2015, në këto sulme në Francë janë vrarë mbi 250 persona.

(Kosova Sot Online)