Reagon Hoti: Nuk jap dorëheqje, zgjedhim presidentin ose shkojmë në zgjedhje

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 10:13
Reagon Hoti: Nuk jap dorëheqje, zgjedhim presidentin ose shkojmë në zgjedhje

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se informacionet për dorëheqjen e tij nuk janë të vërteta.

Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një shkrimi në Facebook.

“Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta. Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19”, ka thënë ai.

Hoti thotë se në Kosovë janë dy opsione. Të dakordohen për presidentin apo të shkohet në zgjedhje të reja.

“Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion”, thotë ai.

Shkrimi i plotë:

Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta.

Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19.

Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion.

(Kosova Sot Online)