Hoti e Brukseli kundërshtohen haptas rreth marrëveshjes për vizitat nga Serbia

  • G.G /
  • 27 November 2020 - 15:07
Hoti e Brukseli kundërshtohen haptas rreth marrëveshjes për vizitat nga Serbia

Kërkesa për vizitë e presidentit serb, Aleksandër Vuciq ka bërë që Brukseli dhe Kosova të japin deklarata të ndryshme rreth një marrëveshje që siç thonë në BE është arritur për të pezulluar vizitat e ndërsjella, për aq kohë sa do të zgjasin gërmimet në varrezat e dyshuara masive, ku dyshohet se janë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës së fundit.

Siç raporton REL duke u thirrur në burime nga Bashkimi Evropian, kjo marrëveshje, u bë menjëherë pasi autoritetet në Prishtinë refuzuan kërkesën për vizitë të zyrtarëve të lartë serbë.

Madje, këtë e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano që ka thënë është arritur një pajtim i mirëbesimit, por nuk ka saktësuar për çfarë palët kanë rënë dakord.

“Ne nuk komentojmë marrëveshje diplomatike apo të mirëkuptimit, të cilat i ka ndërmjetësuar BE-ja me apo mes partnerëve tanë. Por, në këtë rast konkret, mund të konfirmoj, pa hyrë në detaje, se ne kemi ndërmjetësuar një mirëkuptim të tillë mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me vizitat e ndërsjella”, ka deklaruar Stano.

Mësohet se marrëveshja u arrit përmes përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ai parashikoi që palët të përmbahen nga kërkesa për vizita në Serbi ose Kosovë.

Megjithatë, se ekziston një marrëveshje e tillë mirëkuptimi po e mohojnë në Qeveri të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti ka thënë sot përmes një shkrimi në Facebook thotë se informatat për arritjen e një marrëveshjeje në mirëkuptim, midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për vizitat e zyrtarëve të lartë nga Serbia janë të pavërteta.

“Qeveria respekton marrëveshjen për lëvizjen e lirë. Por, secila kërkesë për vizitë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”, ka thënë Hoti.

Dje kryeministri i vendit iu është përgjigjur edhe deklaratës së Ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj që tha se Vuciq nuk do të lejohet që të hyjë në Kosovë pa kërkuar falje.

Hoti tha se për vendime të tilla ai i merr vendimet si shef i Qeverisë.

(Kosova Sot Online)