Isa Mustafa për Shpejtim Bulliqin: Ata që kërkojnë azil te kundërshtarët politikë nuk meritojnë besim

  • E.K /
  • 27 November 2020 - 19:31
 Isa Mustafa për Shpejtim Bulliqin: Ata që kërkojnë azil te kundërshtarët politikë nuk meritojnë besim

Kryetari i LDK’së Isa Mustafa thotë se Vetëvendosje nuk meriton besimin e qytetarëve në Llap. Thotë se ata shkatërrojnë shtetin, komunën dhe ekonominë. Thotë se Kosovës i nevojiten njerëz punëtorë të cilët sipas tij janë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gjatë vizitës në Podujevë, komunë në të cilën të dielën votohet në zgjedhjet lokale, Mustafa shprehet i bindur se Nexhmi Rudari, kandidat i kësaj partie për kryetar do të dalë fitimtar.

“Kosovës i nevojiten njerëz të mençur, të urtë, punëtorë dhe të respektueshëm, si Nexhmi Rudari!’, shkroi Mustafa.

Shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Të nderuar miq,

Takova sot kandidatin për Kryetar të Komunës së Podujevës, z. Nexhmi Rudari, qytetarë dhe veprimtarë tanë atje.

Podujeva ka treguar gjithëherë besim për LDK-në , kurse LDK u ka qëndruar besnike qytetarëve të Llapit dhe të Kosovës.

Llapjanët kanë ditur çdoherë të dallojnë ata që punojnë nga ata që bëjnë zhurmë. Zhurmat dhe tollovitë; dhuna dhe mentaliteti arkaik nuk janë veçori e familjeve, e grave, burrave, të rinjëve dhe të rejave të Llapit. Sjelljet dhe mentaliteti i tillë që demonstron LVV dhe kandidati i tyre për kryekomunar nuk na shërbejnë për të mirë, janë degraduese dhe na këthejnë mbrapa.

Ata që ndërrojnë qëndrime, që kërkojnë azil te kundërshtarët politik, që i kontribuojnë izolimit të qytetarëve tanë, nuk meritojnë besim. Të tillët, ta shkatërrojnë shtetin, komunën dhe ekonominë.

Kosovës i nevojiten njerëz të mençur, të urtë, punëtorë dhe të respektueshëm, si Nexhmi Rudari!

Ju ftoj për një fitore të radhës së LDK-së! IM

(Kosova Sot Online)