Arban Abrashi demantohet nga ministria pasi tha se u izolua nga 9 nëntori

  • G.G /
  • 28 November 2020 - 09:38
Arban Abrashi demantohet nga ministria pasi tha se u izolua nga 9 nëntori

Më 18 nëntor, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kishte njoftuar se kishte rezultuar pozitiv për COVID-19.

Të premten, vetëm nëntë ditë pasi i ishte konfirmuar rezultati, Abrashi ka marrë pjesë në punime në asfaltimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, e që prej aty është bërë pjesë e fushatës së LDK-së për zgjedhjet në Podujevë.

Ndërkohë, në përgjigjen që Abrashi i ka kthyer një qytetari në rrjetet sociale, i cili e kishte pyetur rreth çështjes së izolimit, ministri ka thënë se në fakt ai ishte izoluar që në mbrëmjen e 9 nëntorit, për 17 ditë.

“Me 18 e kam shkru statusin. A në izolim kam qenë nga mbrëmja e 9 nëntorit. Sot kam dalë në punë, pas 17 ditësh”, i ka shkruar Abrashi

Por, në faqen zyrtare të Ministrisë ishte njoftuar për një vizitë të tijën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që sipas këtij njoftimi nga kjo vizitë Abrashi kishte mbikëqyrur “masat e ndërmarra nga operatori i aeroportit LIMAK me qëllim të frenimit të përhapjes së COVID-19”.

Pas një dite në izolim, Abrashi kishte dalë në vizitë zyrtare, teksa këtë gjë e konfirmon vetë.

Ndërkaq, kjo konsiderohet edhe vepër penale. Sipas Nenit 249 të Kodit Penal, “kushdo që nuk vepron sipas dispozitave apo urdhrave të organit publik kompetent në fushën e shëndetësisë, e cila ka për qëllim parandalimin apo luftimin e sëmundjeve ngjitëse te njerëzit apo kafshët dhe me këtë shkakton përhapjen e sëmundjes ngjitëse te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

(Kosova Sot Online)