Rusia vazhdon zgjerimin, dërgon sistem raketor në ishujt që Japonia thotë se janë të saj

  • G.G /
  • 02 December 2020 - 10:00
Rusia vazhdon zgjerimin, dërgon sistem raketor në ishujt që Japonia thotë se janë të saj

Ushtria ruse ka njoftuar se ka dërguar raketa të sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore në Ishujt Kurile, të cilët Japonia i cilëson si territor të vetin.

Distrikti Ushtarak i Lindjes njoftoi përmes një deklarate të publikuar të martën se në Ishujt Kurile është instaluar sistemi raketor i mbrojtjes ajrore “S-300V4”, që i është bashkuar sistemit “ToR-M2”, që ka rreze më të shkurtër veprimi e që ka qenë në funksion më herët në ishujt e kontestuar.

Televizioni zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes njoftoi se sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore janë vendosur në Iturup, një nga katër ishujt e skajit jugor të Ishujve Kurile, shkruan Free Europe.

Rusia ka vazhduar që ta shtojë praninë ushtarake në këta ishuj, përfshirë dërgimin e aeroplanëve luftarakë modernë dhe raketat anti-anije.

Pamje nga Ishujt Kurile

Bashkimi Sovjetik i kishte pushtuar Ishujt Kurile nga Japonia në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Japonia vazhdon të pretendojë se këta ishuj janë pjesë e territorit të saj dhe i quan “Territoret Veriore”.

Mosmarrëveshja mes Rusisë dhe Japonisë në lidhje me këta ishuj ka bërë që fuqitë aziatike ende të mos nënshkruajnë formalisht traktat të paqes që i jep fund luftës.

Përpjekjet diplomatike që kanë zgjatur me dekada nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të dukshëm për këtë çështje.

Ndryshe, në vitin 2014, Rusia e pushtoi Gadishullin e Krimesë nga Ukraina. Ky veprim i Rusisë u dënua nga Ukraina dhe shumë shtete perëndimore, duke e cilësuar atë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe shkelje të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Rusia për mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Fuqitë botërore morën vendim që Rusia të përjashtohet nga Grupi G8 për shkak të këtij veprimi dhe ndaj saj të vendosen sanksione.

(Kosova Sot Online)