Manaj pyetet nga gjykatësi se pse nuk i ka sqaruar Osmanit praktikat për marrjen e mandatit të Arifit
Kryetari i komisionit parlamentar për legjislacion dhe mandate, Shkëmb Manaj është pyetur nga një gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu lidhur me një përgjigje që ky komision ia kishte ktheyer kryeparlamentares Vjosa Osmani lidhur me mandatin e deputetit Etem Arifi.
Në përgjigjje, ky komision e kishte udhëzuar Osmanin që për ndërprejrjen e mandatit të deputetit Arifi të mbështetet në praktikat e mëparshme. Ndërsa gjykatësi e ka pyetur Manajn në seancën e sotme dëgjimore se cilat janë ato praktika.
“Pse nuk e keni sqaruar cilat janë praktikat e mëparshme?”, ka pyetur gjykatësi.
Ndërsa Manaj, ka thënë se sipas rregullores së punës së Kuvendit, ekziston vetëm një rast kur ky komision mund t’ia marrë mandatin deputetit dhe ta zëvendësojë me një deputet tjetër.
“Rregullorja e punës së Kuvendit ka përcaktuar se komisioni aktivizohet në shqyrtimin e marrjes së mandatit të deputetit vetëm në rastet kur deputeti i Kuvendit mungon gjashtë muaj radhazi në seancat plenare. Kjo është përcaktuar me rregulloren e Kuvendit që është aprovuar në vitin 2010 dhe komisioni në asnjë rast tjetër nuk mund të aktivizohet, vetëm në këtë rast . Duke u ndërlidhur me këtë kompetencë që e ka komisioni, ka qenë edhe përgjigjja që ia kemi kthy kryetares së Kuvendit”, ka thënë Manaj.
(Kosova Sot Online)