Ujmani – liqeni me tre emra, fakte që nuk i keni ditur

  • E.K /
  • 03 dhjetor 2020 - 08:05
Ujmani – liqeni me tre emra, fakte që nuk i keni ditur

Liqeni i Ujmanit shtrihet në veriperëndim të Kosovës, deri në kufirin me Serbinë. Ky liqen është më i madhi në Kosovë me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe me thellësi maksimale prej 105 metrash.

Është një liqen artificial i krijuar duke shfrytëzuar derdhjet e lumit Ibër dhe për Kosovën ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

Furnizimi me ujë të pijshëm për më shumë se një të tretën e 1.8 milion banorëve të Kosovës varet nga Ujmani.

Liqeni është gjithashtu furnizuesi kryesor me ujë për ftohjen e dy impianteve të qymyrit – Kosova A dhe Kosova B – që prodhojnë rreth 95 përqind të energjisë elektrike të Kosovës.

Liqeni i Ujmanit furnizon me ujë të pijshëm komunat Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Skënderaj, Obiliq, Fushë Kosovë dhe një pjesë e Prishtinës përmes Fabrikës së Ujit në Shkabaj.

Liqeni i Ujmanit gjendet në territorin e Republikës se Kosovës dhe shtrihet në veri-perëndim të vendit, në Komunën e Zubin Potokut.

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Hidrocentrali i Ujmanit prodhon 35 megaëatt për orë energji elektrike, ndërsa kanali Ibër Lepenc është 49 kilometra i gjatë.

Uji nga ky liqen artificial përdorët për ftohje të termocentraleve në Obiliq, për nevoja industriale në fabrikën e Feronikelit në Gllogoc, për furnizim me ujë për disa komuna, Mitrovicë, Vushtrri, Gllogovc, Skënderaj, Obiliq dhe Fushë Kosovë si dhe për ujitjen e rreth 12 mijë hektarëve tokë bujqësore në disa rajone të Kosovës.

Në raste thatësirash, uji i liqenit të Ujmanit përdoret për mbushjen e dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit.

Rreth 70% e liqenit shtrihet në territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa 30% e tij në Serbi. Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja publike “Ibër Lepenc” më seli në Prishtinë, në pronësi të qeverisë së Kosovës.

Beogradi pretendon pronësinë mbi liqenin duke thënë se ishte Beogradi ai që shlyente huanë prej 90 milion dollarësh ose 78 milion euro për të ndërtuar digën në kohën e ish- Jugosllavisë në vitet 70’të. Por Prishtina ka bërë të qartë se personi juridik përgjegjës për huatë nga Banka Botërore ishte Provinca Socialiste Autonome e Kosovës, ndërsa Serbia si person juridik nuk ishte e përfshirë në financimin e projektit.

Kosova thekson gjithashtu se dëmshpërblimet për njerëzit që u zhvendosën për shkak të ndërtimit të liqenit, si në Krahinën Autonome, ashtu edhe në Serbi, u paguan vetëm nga institucionet e Krahinës së Kosovës në atë kohë. Ujmani me një sipërfaqe prej 11.9 km2, ndahet në 9.2 km2 në territorin e Kosovës dhe 2.7 km2 në territorin e Serbisë. Ndërtimi i liqenit kushtoi 90 milion dollarë.

Gjysma e parave u financua nga fondi për zhvillimin e infrastrukturës së Jugosllavisë, një fond i cili u pagua me taksim në të gjitha republikat federale dhe rajonet autonome ndërsa 50%-shi tjetër u financua nga huatë nga Banka Botërore.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pati vizituar liqenin megjithë kundërshtimin e udhëheqësve të Prishtinës, të cilët përfundimisht u tërhoqën për shkak të presionit të BE-së. Duke qëndruar pranë digës që punëtorët kishin zbukuruar me një flamur serb, Vuçiç e përshkroi liqenin si një simbol të ngërçit mes palëve.

“Gazivoda tregon në mënyrën më të qartë shtrirjen e problemit me të cilin përballemi, ndryshimet tona, betejat tona të hidhura politike”, ka thënë Vuçiç.

Tri javë më vonë, Hashim Thaçi, atëherë president, u kundërpërgjigj me një vizitë tjetër në liqen, këtë herë në një pamje panoramike.

“Një vizitë normale në një nga bukuritë tona”, do të deklaronte Thaçi.

Liqeni ka tashmë tre emra, liqeni I Ujmanit për shqiptarët, liqeni i Gazivodës për serbët dhe liqeni Trump për të dyja palët. Kosova dhe Serbia ranë dakord në bisedimet e Washingtonit në praninë e presidentit Trump, që të bëhet një studim fizibiliteti me synim përdorimin e përbashkët të liqenit të Ujmanit në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Energjisë, për të siguruar furnizimin me ujë dhe energji. Zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Mattheë Zais dhe drejtori menaxhues i zyrës rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç, vizituan Kosovën pas arritjes së marrëveshjes në Washington.

“Jemi këtu për dy qëllime: një është që të fillojmë studimin e fizibilitetit për liqenin dhe e dyta është që të punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj në rajon se si të krijohen lidhje më të mira në tregun e energjisë, qoftë elektrike apo gazit natyror…Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji…Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, shprehej Matthew Zais.

Zais ka konfirmuar se ekspertët amerikanë do të bëjnë pjesën teknike të punës për të parë sesi të shfrytëzohen më mirë mundësitë që ofron liqeni, por për Kosovën, krijoi shqetësim për faktin që Serbia u bë palë në marrëveshjen e arritur për këtë çështje.

Drejtori menaxhues i zyrës rajonale në Korporatën Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç foli për mundësinë që të dyja palët të ndërtojnë masa të mirëbesimit për të punuar së bashku për normalizimin ekonomik.

“Realiteti në terren është që secili shtet në rajon është tepër i vogël për të menduar se përparimi ekonomik zhvillohet brenda kufijve të tyre, duhet të shikoj tek fqinjët dhe ky proces nuk do të thotë që patjetër të bëni kompromise me sovranitetin tuaj, me identitetin tuaj politik, etnik dhe fetar, larg asaj. Vetëm pse bëjmë tregti me Kanadanë dhe Meksikën nuk do të thotë se nuk jemi komod të vazhdojmë të jemi Shtetet e Bashkuara”, thoshte  John Jovanovic.

Por shqetësimet në Prishtinë mbetën. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte kërcënuar me dalje nga qeveria Hoti nëse Serbia do të ishte palë në marrëveshje.

“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, shprehej Ramush Haradinaj.

Albin Kurti i Vetëvendosjes në opozitë ishte në të njëjtën linjë, duke theksuar se Ujmani nuk është ndërtuar në bashkëpunim me Republikën tjetër (sot Serbia), as nuk ka pasur për destinim përdorimin e ujërave të grumbulluara në të, nga të dyja etnitetet në atë kohë brenda federatës, sot shtete të pavarura, por vetëm dhe vetëm të Kosovës.

“Ujmani është çështje prone, jo kufiri…Ujmani nuk është rasti i liqenit natyror të Shkodrës, ku vetë liqeni është ndarë midis shteteve, apo i liqenit tektonik të Ohrit. Por as nuk është rasti i marrëveshjes ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave dhe më pas blerjen e tokës si te liqeni i Vërmicës në rastin e Shqipërisë me atëbotë Jugosllavinë. Nuk ka pasur dhe as nuk ka për Ujmanin asnjë kontest të natyrës ndërkombëtare apo që lidhet në ndonjë formë me të drejtën ndërkombëtare të ujërave. Sepse askush nuk ka kontest për rrjedhën e lumit i cili e mbush një pjesë të liqenit tonë artificial.”,  Albin Kurti.

Kurti tha në një fjali atë që ishte dhe mbetet shumë e rëndësishme për Kosovën. “Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën.”

Por marrëveshja e Ëashingtonit mbetet, ndërkohë që nuk dihet ende nëse ky liqen do të mbajë emrin e tretë të tij, Liqeni Trump. I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, kishte shpërndarë lajmin për Liqenin Trump, duke shkruar se  të dyja palët ishin pajtuar që ky të ishte emri i ri.

“Ka qenë një pikë serioze diskutimi në dialog sesi të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës farkëtuan kompromisin që të bëhet një studim i fizibilitetit që të krijohen vende të reja pune në rajon. Ndaj të dyja palët vendosën ta quajnë: Liqeni Trump”, deklaronte Richard Grenell.

Por liqeni, pavarësisht nga tre emrat e tij, një shqiptar, një serb, dhe një amerikan, mbart me vete pikëpyetjen. Çfarë do të ndodhë pas studimit të fizibilitetit? Si do të mbyllet përfundimisht ky diskutim i hapur tashmë? Dhe në përfundim, çfarë do të prodhojë në fund ajo që quhet me gjuhë diplomatike përdorim i përbashkët i Ujmanit, Gazivodës apo liqenit Trump.

(Kosova Sot Online)