Qeveria e Zemaj po e fshehin mungesën e oksigjenit, kjo po i kushton me jetë qytetarëve

  • A.P /
  • 03 December 2020 - 16:20
Qeveria e Zemaj po e fshehin mungesën e oksigjenit, kjo po i kushton me jetë qytetarëve

Nga disa spitale rajonale është thënë se janë në rezerva të fundit të furnizimit, derisa nga Spitali i Gjilanit ditën e djeshme kanë kërkuar furnizim oksigjen.

Për mungesën e oksigjenit ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ky subjekt është thënë se Qeveria, ministri Zemaj e Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës po e fshehin mungesën e oksigjenit, gjë që sipas tyre i kushtojnë vendit me jetët e humbura.

Njoftimi i plotë:

OKSIGJEN PËR SPITALET RAJONALE

OKSIGJEN PËR TË SHPËTUAR JETËN

Spitaleve të mbingarkuara me pacientë me COVID-19, po u shtohet edhe mungesa e oksigjenit. Ditëve të fundit, sikurse muajve të fundit, janë raportuar raste të shumta të vështirësive deri në mbetje pa oksigjen medicinal të spitaleve rajonale.

Mefshtësia dhe papërgjegjësia e qeverisë, ministrit dhe SHSKUK e Agjencioneve përgjegjëse po i kushtojnë vendit me jetë të humbura. Oksigjeni medicinal është element i domosdoshëm në përballje me COVID-19 për pacientët e shtrirë nëpër klinika.

Gjendja është e rëndë dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprimet për të garantuar furnizim të rregullt e mbi të gjithë të pandërprerë me oksigjen medicinal dhe nga kompani që i përmbushin të gjithë kriteret duke i mbikëqyrur pa ndërprerë.

Sot, disa nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përgjigje të kërkesave të panumërta të qytetarëve nga gati të gjitha komunat e Kosovës, si dhe deputetët nga komisioni për shëndetësi, kanë ndërmarrë një protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë për t’i kujtuar se qytetarët po përballen me rrezik të dyfishtë, kurse punonjësit shëndetësor me vështirësi në punën e tyre, nga mungesa e oksigjenit.

(Kosova Sot Online)