Virologia e Wuhanit: Ka shumë lloje të viruseve që mund të kalojnë nga lakuriqi te njeriu

  • E.K /
  • 05 December 2020 - 15:01
Virologia e Wuhanit: Ka shumë lloje të viruseve që mund të kalojnë nga lakuriqi te njeriu

Në lakuriqët që jetojnë në pjesët jugore dhe jugperëndimore të Kinës strehohen lloje të tjera të koronavirusit që tashmë kanë kapacitet për të kaluar te njeriu, ka paralajmëruar një shkencëtare e njohur kineze.

Dr.Shi Zhengli nga Instituti i Wuhanit për Virologji tha se këto viruse, përfshirë viruset e ngjashme me SARS-CoV-2, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19, ka gjasë që janë duke qarkulluar në natyrë edhe jashtë Kinës.

“Ne nuk duhet t’i kërkojmë ato vetëm në Kinë, por gjithashtu edhe në shtetet e Azisë Jugore”, tha shkencëtarja që i është vënë nofka “gruaja e lakuriqëve”, sepse grupi i saj hulumtues merret me studimin e koronaviruseve te lakuriqët.

Komentet e saj u bënë gjatë një konference të organizuar nga akademinikët francezë të mjekësisë dhe veterinarisë, shkruan The Guardian.

Dy ekipe ndërkombëtare – njëra e koordinuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe tjetra nga revista mjekësore “Lancet – po përgatitet për ta hetuar prejardhjen e pandemisë një vit pasi ajo filloi zyrtarisht.

Këto përpjekje janë politizuar shumë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina e akuzojnë njëra-tjetrën për prejardhjen e pandemisë në kohën kur dy fuqitë botërore po zhvillojnë edhe luftë tregtare.

Laboratori i shkencëtares Zhengli më herët gjatë këtij viti është akuzuar se ka qenë burim i rrjedhjes aksidentale të virusit. Sidoqfotë, për këto akuza nuk ka ende dëshmi dhe shkencëtarja kineze i ka mohuar kategorikisht ato.

Ajo nuk këshilloi që Kina të largohet nga lista e hetimeve, por vetëm që hulumtimet të shkojnë përtej Kinës.

(Kosova Sot Online)