Ministri Veliu tregon se si do t’i bashkojë dikasteret: Disa drejtorë do të mbesin pa atë pozitë

  • G.G /
  • 08 December 2020 - 12:52
Ministri Veliu tregon se si do t’i bashkojë dikasteret: Disa drejtorë do të mbesin pa atë pozitë

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, gjatë raportimit në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, ka folur edhe për bashkimin e Ministrinë e Administratës Publike në MPB.

Ai tha se në parim janë marrë vesh që të bashkohen edhe disa departamente të njëjta që ekzistojnë në të dy dikasteret, ndërsa tha se si pasojë e kësaj, disa drejtorë s’do të jenë më në këtë pozitë.

“Jemi marrë vesh që departamentet sikurse u theksuan, ta zëmë departamenti ligjor është edhe këtu edhe atje. Duhet t’i bashkojmë. Departamenti i financave është edhe këtu edhe atje; duhet t’i bëjmë një departament dhe sigurisht si pasojë e kësaj njëri prej drejtorëve do të mbetet pa atë pozicion që e ka”, tha Veliu.

Por, ministri shtoi se drejtorët që do ta humbin pozitën e tyre, nuk do të mbeten pa punë. Siç tha ai, ata do të sistemohen në një pozicion tjetër.

“Ne do të kujdesemi që atë që mbetet pa pozicionin që e ka si drejtor i departamentit ta zëmë, t’ia gjejmë një pozicion ekuivalent në bazë të kërkesës ligjore”, tha Veliu. 

(Kosova Sot Online)