Dreshaj rrëfen aksidentin në Komoran: U vonua ambulanca, dy policë më fascinuan me profesionalizëm

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 13:48
Dreshaj rrëfen aksidentin në Komoran: U vonua ambulanca, dy policë më fascinuan me profesionalizëm

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj, përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar ka rrëfyer për një aksident të rëndë komunikacioni të ndodhur mbrëmjen e së hënës që ka ndodhur në Komoran.

Dreshaj ka thënë se ka qenë shqetësues fakti që ambulanca është vonuar për të dalë në vendin e ngjarjes, derisa ka lavdëruar punën që kanë bërë dy policët, njëri me emrin Përparim, për t’iu dalë në ndihmë të aksidentuarve.

“Mbrëmë pash nga afër një aksident të rëndë komunikacioni në Komoran. Bashkë me kalimtarë të tjerë tentuam të japim gjithçka nga vetja që tu dalin në ndihmë të aksidentuarve. Fatkeqësisht, njëri nga të aksidentuarit paska ndërruar jetë në spital. Ngushëllime familjes dhe uroj që të lënduarit e tjerë të shërohen shpejt. Shqetësuese nga ky rast ishte vonesa e ambulancës, për arsye që të gjithë i njohim. U fascinova nga reagimi profesional i dy policëve të rastit, njëri nga të cilët quhej Përparim”,ka shkruar Dreshaj.

Ai ka thënë se ndjehet i lënduar nga ajo që ka parë, derisa bën thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.

“Ndjehem i lënduar nga ajo që kam parë, por ju lutem që secili nga ju me vetdije dhe kujdes të kontribuoni në shmangien e aksidenteve të tilla.

Ju lus, vozitni me kujdes të shtuar. Vini gomat e dimrit sepse rrugët tona janë të pasigurta dhe se është e domosdoshme siguria e veturës”, ka përfunduar Dreshaj.

(Kosova Sot Online)