Abelard Tahiri: Të mblidhemi dhe të shkojmë në zgjedhje, është e pamoralshme të vazhdohet kështu

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 11:41
Abelard Tahiri: Të mblidhemi dhe të shkojmë në zgjedhje, është e pamoralshme të vazhdohet kështu

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar që partitë të ulen dhe të merren vesh për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

Tahiri tha se koalicioni qeveritar asnjëherë s’i ka më shumë sesa 35 deputetë në sallën e Kuvendit dhe se kështu nuk mund të vazhdohet.

“Një koalicion i cili asnjëherë më shumë se 35 deputetë nuk i ka në sallë. Pra, është e pamoralshme të vazhdohet me këtë gjendje, sepse këtë vetëm qeverisje nuk mund ta quajmë”, tha Tahiri. “Të ulemi dhe të dakordohemi që ky Kuvend të shpërbëhet”, shtoi ai.

Tahiri e cilësoi Kuvendin si jofunksional, ndërsa tha se sa më parë që caktohen zgjedhjet e reja, shoqëria do të shpëtonte nga degradimi.

“Ky Kuvend është jofunksional… Sa më shpejt që mbledhemi dhe e caktojmë një datë për zgjedhje, ne arrijmë ta shpëtojmë sadopak këtë shoqëri nga degradimi që po i bëhet”, tha Tahiri.

Ai pati kritika edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, që sipas tij, bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë sjellë Kosovës degradimin më të madh.

“Ata që në emrin e Qeverisë së shpresës, ua vodhën besimin qytetarëve të Kosovës. Koalicioni i shpresës solli degradimin më të madh që ka mundur ta përjetojë një shoqëri dhe shteti ynë… Është viti që shoqëria jonë pësoi degradim të madh në ekonomi, shëndetësi… Ky është rezultati i 6 tetorit”, tha Tahiri.

(Kosova Sot Online)