Hungaria miraton ligjin që ua ndalon homoseksualëve birësimin e fëmijëve

  • E.K /
  • 15 December 2020 - 15:37
Hungaria miraton ligjin që ua ndalon homoseksualëve birësimin e fëmijëve

Kuvendi i Hungarisë, i mbizotëruar nga shumica nacionaliste, e ka miratuar ligjin që në praktikë ua ndalon birësimin e fëmijëve çifteve homoseksuale.

Në kuvendin ku partia e Kryeministrit Orban i ka dy të tretat e ulëseve, ligji i ri u miratua nga votat e 134 deputetëve. Vetëm 45 ishin kundër ligjit, ndërsa pesë deputetë abstenuan në votim, shkruan Free Europe.

Sipas ligjit të ri, i cili është kritikuar nga vëzhguesit e të drejtave të njeriut, vetëm çiftet e martuara mund të birësojnë fëmijë, ndërsa personat beqarë duhet të marrin leje të veçantë për këtë gjë nga Ministria e Çështjeve Familjare. Hungaria nuk e lejon me ligj martesën e personave me gjini të njëjtë.

Ligjvënësit gjithashtu e ndryshuan kushtetutën, ku futën disa rregulla të reja, përfshirë definicionin e ri për familjen si bashkim i babait, që është burrë, dhe nënës, që është grua, duke përjashtuar llojet alternative të familjes.

Legjislacioni i ri paraqet vazhdimësi të ecurisë së Orbanit ndryshe nga drejtimi i përgjithshëm i Bashkimit Evropian.

“Hungaria e mbron institucionin e martesës mes një burri dhe një gruaje si dhe familjen si themel i mbijetesës së kombit”, thuhet në ligjin e ri.

Deri më tani, birësimi i fëmijëve nga çiftet homoseksuale ka qenë i mundshëm, nëse njëri partner ka aplikuar si beqar.

Partia në pushtet vazhdimisht ka bërë fushatë për mbrojtjen e vlerave të Krishterimit dhe ka dalë haptazi kundër komunitetit LGBT.

(Kosova Sot Onlin)