Mjeku nga SHBA-ja: Pacientët kosovarë po i maltretojnë me medikamente e analiza të panevojshme

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 09:06
Mjeku nga SHBA-ja: Pacientët kosovarë po i maltretojnë me medikamente e analiza të panevojshme

Direkt nga Arizona në emision ka folur ekskluzivisht mjeku kosovar Ylli Zhubi, i cili ka thënë se pacientët po maltretohen me teste e barna në Kosovë.

Zhubi ka thënë se mjekët e kanë për detyrë që së paku t’i dinë bazat e tretmanit për COVID-19.

“Çdo mjek në kohë pandemie e ka për detyrë së paku t’i dijë bazat e tretmanit për COVID-19. E kam vërejtë se tek një familjar dhe një mik tjetër që ka kthy në Kosovë janë ba disa tretmane që as në udhëzuesin që e ka MSH-ja për trajtimin e COVID-19 s’gjenden. Po bëhen teste laboratorike, sipas mendimit tim, të panevojshme, te ata me simptoma të lehta”, ka thënë ai.

Mjeku kosovar nga SHBA-ja tregon se është e panevojshme që të përdoren antibiotikë për trajtimin e COVID-19.

“E panevojshme se janë bërë disa hulumtime dhe kanë dalë mjaft fakte se së paku ata që janë në spital nuk ka ndonjë efekt në zvogëlimin e ditëve në ventilator apo parandalimin e vdekjes.

Specifikisht për azitromicin që po jepet më së shpeshti është përmendë që ka efekte antivirale, sipas hulumtimeve ka dalë që nuk ka ndonjë beneficion te pacientët me COVID”, shton ai, duke thënë se kjo me siguri po bëhet nga mosdija ose presioni nga mjekët në Kosovë.

“Ose nga mosdija ose nga presioni, kemi të bëjmë më një sëmundje virale, du me besu që nuk është kjo e vërtetë, mund të ketë edhe arsye financiare. Testi D-dimer nuk duhet të bëhet fare, nëse i shikon të dhënat e Institutit në SHBA, për pacientët që nuk kanë nevojë të shtrihen në spital, nuk duhet të bëhet asnjë test për koagulimin e gjakut. Një mik ishte në Kosovë për dy javë ditë, e ka bërë këtë test, rezultati nuk i ka dalë mbi atë nivelin që po përdoret për të marrë ilaçin”, ka thënë Zhubi.

(Kosova Sot Online)