Koronavirusi, George Floyd, Lufta e Ftohtë SHBA-Kinë, fitorja e Biden, zjarre dhe uragane: Këto janë ngjarjet e vitit 2020

  • A.P /
  • 17 December 2020 - 20:39
Koronavirusi, George Floyd, Lufta e Ftohtë SHBA-Kinë, fitorja e Biden, zjarre dhe uragane: Këto janë ngjarjet e vitit 2020

Në 2020, bota u përball me një pandemi të pazakontë për shekullin XXI, pa u kursyer gjithashtu nga krizat ndërkombëtare dhe trazirat shoqërore.

Më poshtë vijojnë ngjarjet e vitit:

Përshkallëzim në Lindjen e Mesme

Më 3 janar gjenerali Qassem Soleimani, arkitekt i strategjisë iraniane në Lindjen e Mesme, u vra në një sulm me dron amerikan në Bagdad, pas një sulmi kundër ambasadës amerikane nga manifetuesit irakianë pro-iraniane.

Më 8 janar, Irani kundërpërgjigjet me raketa në bazat ku strehoheshin ushtarët amerikanë, Një avion civil ukrainas sulmohet gabimisht disa orë më vonë nga Irani duke shkaktuar vdekjen e 176 personave.

Pandemia

Më 11 janar, pas shfaqjes misterioze të një pneumonie në Kinë, Pekini njofton vdekjen e parë zyrtate nga një sëmundje që u quajt më vonë COVID-19, cilësuar si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 mars.

Në muajin prill, gjysma e njerëzimit u kufizua për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri.

Shumë sektorë ekonomike ndërprenë punën dhe plane masive rimëkëmbjeje u njoftuan. Deri në 115 milionë persona arritën në varfëri ekstreme, sipas Bankës Botërore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi një kontraktim të ekonomisë botërore me 4,4%.

Në tetor një valë e dytë riktheu kufizimet në Europë. Në dhjetor, Britania e Madhe u bë vendi i parë perëndimor që filloi një fushatë vaksinimi me ndihmën e një vaksine inovative me bazë të materialit gjenetik.

Pandemia ka shkaktuar më shumë se 1,6 milionë të vdekur në botë.

Konkretizimi i Brexit

Natën e 31 janarit, dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, vendosur nga britanikët në 2016, bëhet efektive. Ky divorc i parë europian i jep fund 47 viteve bashkëjetesë.

Në mars filluan negociatat e mundimshme për marrëdhëniet e ardhshme mes Brukselit dhe Londrës, të prekura nga koronavirusi dhe që supozohet të përfundojnë para përfundimit në fund të dhjetorit të një periudhe tranzicioni.

Marrëveshja mes SHBA-së dhe talebanëve

Më 29 shkurt, SHBA-ja dhe talebanët afganë nënshkruan një marrëveshje historike në Doha, duke i hapur rrugën tërheqjes së trupave amerikane pas dy dekadave luftë.

Pavarësisht negociatave për paqe mes qeverisë afgane dhe kryengritësve që prej shtatorit, Afganistani mbetet i shkatërruar nga dhuna.

Pentagoni njoftoi tërheqjen e rreth 2 000 ushtarëve deri më 15 janar.

Vdekja e George Floyd

Më 25 maj, George Floyd, një amerikan i me ngjyrë humb jetën nga asfiksia në Minneapolis, si pasojë e mbajtjes për disa minuta nën gjurin e një polici të bardhë.

Imazhet virale ku ai dëgjohet duke thënë se ai “nuk mund të marrë frymë” shkaktoi manifestime të dhunshme në një shkallë të paparë që nga vitet 1960, duke bërë thirrje për reforma kundër dhunës policore dhe për t’i dhënë fund të pabarazive racore nën flamurin “Black Lives Matter” (jeta e zezë ka rëndësi).

Protestat u përhapen në të gjithë botën.

Kinë-SHBA: ”parfumi” i Luftës së Ftohtë

Në maj, presidenti amerikan, Donald Trump akuzoi Kinën se kishte shkaktuar një “vrasje masive botërore” me koronavirusin e shfaqur në tokën e saj.

Duke sanksionuar një ligj mbi sigurinë kombëtare në Hong Kong, Uashingtoni anulon regjimin ekonomik preferencial të territorit.

Në korrik, SHBA-ja vendos sanksione ndaj disa drejtuesve të Xinjiang (veri-perëndim), duke akuzuar Pekinin se kishte internuar të paktën një milionë myslimanë nga minoriteti ujgur atje. Kina e mohon atë, duke përmendur, qendrat e trajnimit profesional.

Uashingtoni vendos sanksione mbi furnizimin e liderit të 5G Huawei dhe bën presion ndaj aleatëve të tij për ta ndaluar atë.

Në gusht, ByteDance, pronari i aplikacionit TikTok, u urdhërua të shesë pasuritë e tij në SHBA. Diskutimet mes Uashingtonit dhe TikTok vazhduan në fillim të dhjetorit.

Rimarrja në dorë e Hong Kongut, manifestime në Tajlandë  

Në fund të qershorit, pas manifestimeve historike të thirrura nga mbështetësit e lëvizjes pro-demokracisë, Kina miratoi një ligj mbi sigurinë kombëtare, që është i detyrueshëm për Hong Kongun, i cili supozohet të gëzojë gjysmë-autonomi deri në 2047.

Ligji u jep autoriteteve pushtetin për të “shtypur përmbysjen, shkëputjen, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forcat e huaja”.

Në dhjetor, tre aktivistë të njohur pro-demokracisë, përfshirë Joshua Wong, u dënuan me burg. Manjati pro-demokracisë Jimmy Lai, vendoset në paraburgim dhe më pas paraqitet veçanërisht për “bashkëpunim me fuqitë e huaja”.

Në Tajlandë, që prej muajit korrik, dhjetëra mijëra manifestues pro demokracisë kërkojnë largimin e kryeministrit Prayut Chan-O-Cha, i legjitimuar nga zgjedhjet e kundërshtuara të vitit 2019, një rishkrim i Kushtetutës dhe një reformë e thellë e monarkisë. Disa vënë në pikëpyetje në veçanti ligjin e “lese majesté” që ndalon çdo kritikë ndaj monarkisë.

Shpërthimi në Bejrut

Më 4 gusht, një shpërthim i fuqishëm shkaktoi më shumë se 200 të vdekur dhe të paktën 6 500 të plagosur, shkatërroi portin e Bejrutit dhe shumë lagje të kryeqytetit libanez.

Shpërthimi, i shkaktuar nga një zjarr në një depo që kishte tonelata të nitratit të amoniakut, goditi një ekonomi tashmë të brishtë.

Kriza në Bjellorusi

Më 9 gusht presidenti bjellorus, Alexandre Lukashenko u zgjodh me shumicë votash gjatë zgjedhjeve të cilësuara të manipuluara nga opozita dhe perëndimi.

Gjatë, rreth katër muajve, dhjetëra mijëra manifestues kërkojnë largimin e tij çdo të diel në Minsk. Mbështetës të opozitës janë burgosur apo janë larguar nga vendi. Të paktën katër persona kanë humbur jetën.

Në fund të nëntorit, opozita ndryshon taktikë duke shtuar grumbullimet e vogla.

Grusht shteti në Mali

Më 18 gusht, presidenti malian Ibrahim Boubacar Keïta u rrëzua nga pushteti nga një puç ushtarak pas disa muajsh krizë politike.

Puçi, i dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, çoi në sanksione, të hequra pas formimit më 5 tetor të një qeverie tranzicion, e drejtuar Bah Ndaw, që do t’i kthente pushtetin civilëve brenda 18 muajve.

Bamako planifikon të nisë një dialog me xhihadistët, një mundësi që Parisi, i angazhuar ushtarakisht në Sahel, e konsideron të pamundur.

Çështja Navalny

Më 20 gusht, opozitari kryesor rus, Alexeï Navalny shtrohet në spital pas një sëmundjeje të rëndë, përpara se të autorizohej më 22 janar për trajtim urgjent në Gjermani.

Disa teste tregojnë se ai ishte helmuar nga një agjent nervor i tipit Novichok, një substancë e krijuar nga specialistë sovjetikë për qëllime ushtarake.

Opozitari, akuzoi presidentin rus, Vladimir Poutine se qëndron pas helmimit të tij, një pretendim “i papranueshëm” sipas Moskës.

Bashkimi Evropian sanksionon disa bashkëpunëtorë të presidentit rus.

Zjarre, uragane dhe ngrohje klimatike  

Më 9 shtator, San Françisko dhe rajone të tjera në perëndim të SHBA-së zgjohen nën një qiell portokalli, i denjë për një shenjë apokalipsi, i shkaktuar nga zjarret që shkatërruan Kaliforninë që prej muajit gusht, favorizuar nga temperatura rekord.

Në nëntor, dy uragane shkatërruan Amerikën Qendrore duke shkaktuar 200 të vdekur dhe miliona dollarë dëme.

Në të njëjtin muaj, në Australi, në mes të një vale nxehtësie, zjarret gjigante shkatërruan 40% të pyjeve të ishullit Fraser, ishullit më të madh me rërë në botë, i klasifikuar si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në kontinentin Australian, sezoni i zjarrit i cili filloi në 2019 përfundoi në fund të Janarit 2020, pasi kishte djegur një sipërfaqe më të madhe se Portugalia.

Rajone të tëra në kufi me Argjentinën, Paraguai, Bolivia dhe Brazili i Jugut gjithashtu kanë përjetuar zjarre shkatërruese.

Sipas të dhënave të përkohshme nga Organizata Botërore e Motit (OMM), 2020 do të jetë viti i dytë më i nxehtë i regjistruar, pas 2016.

Normalizimi me Izraelin

Më 15 shtator, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje normalizimi me Izraelin në Shtëpinë e Bardhë.

Palestinezët denoncojnë një “goditje pas shpine”.

Sudani dhe Maroku gjithashtu normalizojnë marrëdhëniet e tyre me shtetin hebre, përkatësisht më 23 tetor dhe 10 dhjetor.

Më 23 nëntor, shtypi izraelit raportoi për një takim të fshehtë mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite, të mohuar nga Riadi.

Konflikti në Nagorni-Karabah

Më 27 shtator, luftime mes forcave të Azerbajxhanit dhe atyre të Nagorni Karabah, një enklavë me një shumicë armene të diskutueshme për dekada.

Erevani akuzon Ankaranë për dërgimin e mercenarëve nga Siria për të mbështetur forcat azere. Baku pretendon se armenët nga diaspora po luftojnë në Karabah.

Në fund të gjashtë javëve të luftimeve (më shumë se 5 000 të vdekur), një armëpushim u nënshkrua në nëntor nën drejtimin e Kremlinit. Ai shënon fitoren e Azerbajxhanit dhe i jep asaj fitime të rëndësishme territoriale.

Atentatet në Francë dhe në Austri

Më 16 tetor, një profesori historie, Samuel Paty, i pritet koka në rajonin parizian nga një islamist i radikalizuar, pasi kishte treguar karikaturat e Muhamedit gjatë një ore mësimore për lirinë e fjalës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron mbrojti të drejtën e karikaturës. Homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan duke e parë këtë si një ofendim për myslimanët kërkoi bojkotim të produkteve franceze. Manifestime kundër Francës u zhvilluan në disa vende myslimane.

Më 29 tetor, tre besimtarë të pranishëm në Bazilikën e Nicës (Franca jug-lindore) u vranë me thikë nga një tunizian i cili kishte mbërritur kohët e fundit në Europë.

Më 2 nëntor, katër persona u vranë në një sulm islamik në Vjenë, i pari i kësaj përmase që goditi Austrinë.

Trump i mundur, Biden i zgjedhur

Më 3 nëntor, amerikanët votojnë për vendosur mes presidentit në ikje, republikanit Donald Trump dhe demokratit Joe Biden, në një vend me ndarje të thella.

Pas katër ditësh pritje të tensionuar, ish-zëvendëspresidenti i Barak Obamas kalon pragun e 270 votuesve elektoralë duke fituar garën për Shtëpinë e Bardhë.

Donald Trump akuzon, pa prova, për mashtrim dhe refuzon të pranojë humbjen e tij.

Sipas rezultateve të vërtetuara nga shtetet amerikane, ai fitoi 46,8% të votave, nga 51,3% për Joe Biden.

Etiopi: konflikti në Tigrey

Më 4 nëntor, kryeministri etiopian, Abiy Ahmed, fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, njofton një operacion ushtarak kundër rajonit disident të Tigray (veri), të cilin ai e akuzon se ka sulmuar dy baza të ushtrisë federale.

“Këto sulme u shpikën për të justifikuar ndërhyrjen”, theksojnë autoritetet rajonale të Frontit Çlirimtar të Popujve Tigray (TPLF).

Kjo parti është margjinalizuar që kur Abiy erdhi në pushtet, pasi kontrolloi politikën etiopiane për gati 30 vjet.

Dhjetëra mijëra etiopianë u larguan drejt Sudanit duke u arratisur nga luftimet.

(Kosova Sot Online)